Fillimi i vitit me fatura më të larta – KMDLNj fton pozitën dhe opozitën të mbrojnë interesin e qytetarëve, jo mafien energjetike
Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike në vitin që shkoi, edhe ky vit nuk po sjellë lajme të mira për qytetarë. Faturat e ujit që nga janari 2026 do të jenë më të larta deri më 40 përqind krahasuar me vitin paraprak. ZRrE ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit për energjinë e shpenzuar që nënkupton fatura me çmim më të larta për energjinë ekektrike në kohën kur këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare sikur që në masë të madhe po ngulfasin bizneset që një numër jo i vogël i tyre është buzë falimentimit. Shkaku i moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në Mafien Energjetike prandaj KMDLNj ka kërkuar të hetohet ky institucion që pamëshirshëm po e dëmton buxhetin e familjeve kosovare. KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe për pasojë do të paguajmë fatura shumë më të larta për artikuj tjerë të domosdoshëm për mbijetësë si dhe për shërbime. Nëse faturat për ujë dhe mbeturina, edhe me rritje janë të përballueshme, faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe bizneset.
KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë këto shtrenjtime që po i varfërojnë shumë e më shumë duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së , KESCO dhe operatorëve privatë. KMDLNj fton pozitë dhe opozitë të mbrojnë interesin e qytetarëve e jo të Mafies Energjetike . ZRrE dhe qeveria duhet t’i sqarojnë qytetarët se sa është shkalla e inkasimit në veri të Kosovës dhe pse çmimi i rrymës atje është më i lirë se në pjesën tjetër të Kosovës.
Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre atëherë spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet. Shtrenjtimi i paralajmëruar e që është në shpërputhje të madhe me shumicën e ekonomive familjare dhe bizneseve, në mënyrë flagrante shkelë të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe falimentimin e bizneseve.



