
Filloi ndeshja Kosovë – Suedi
Ka nisur përballja mes Përfaqësueses së Kosovës dhe Suedisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës, atmosfera në stadiumin “Fadil Vokrri” është e jashtëzakonshme, ndërsa të gjitha biletat për këtë sfidë janë shitur.
Kosova hyn në këtë ndeshje pa kapitenin Amir Rrahmani, i cili u lëndua në duelin ndaj Zvicrës.
Përzgjedhësi i “Dardanëve”, Franco Foda, është shprehur optimist për një paraqitje më të mirë në krahasim me ndeshjen e kaluar.
“Ishim të vetëdijshëm që Zvicra ka ekip shumë të fortë dhe në atë ndeshje nuk arritëm ta zbatojmë lojën tonë. Gabimet i kemi analizuar me detaje dhe jemi përgatitur që të shfaqemi shumë më ndryshe ndaj Suedisë. Nesër jemi në shtëpi dhe dëshirojmë t’i kënaqim tifozët tanë ‘Dardanët’, siç kemi bërë edhe më parë”, u shpreh Foda.
Ai e pranoi se mungesa e kapitenit Rrahmani është një disavantazh i madh për skuadrën, por theksoi se ka besim tek lojtarët e tjerë në repartin mbrojtës.
“Rrahmani është lider i vërtetë dhe do të na mungojë, por kemi alternativa të tjera për ta zëvendësuar”, theksoi ai.
Sa i përket kundërshtarit, trajneri gjerman vlerësoi lart cilësinë e Suedisë: “Ka lojtarë shumë cilësorë, sidomos në sulm dhe është favorite në këtë përballje. Megjithatë, ne do të bëjmë çmos që ta fitojmë këtë ndeshje”, shtoi ai.