
Fillon edicioni i 11-të i Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj
Sot në qytetin e Pejës u zhvillua ceremonia solemne e hapjes së edicionit të 11-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert.
Edicioni i sivjetmë zhvillohet nën temën qendrore:
“Diplomacia në kohë të sfidave globale – Siguria, Teknologjia dhe Ndryshimet Gjeopolitike”, duke reflektuar mbi sfidat dhe dinamikat aktuale në arenën ndërkombëtare.
Në fjalën e saj përshëndetëse, zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, uroi mirëseardhje pjesëmarrësve nga 42 shtete të botës, duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në ndërtimin e diplomacisë së së tashmes dhe të së ardhmes.
“Diplomatët e rinj të mbledhur këtu përfaqësojnë jo vetëm të ardhmen e diplomacisë, por edhe gjallërinë e saj në të tashmen. Kosova e kupton thellë vlerën e diplomacisë. Vetë shtetësia jonë, integrimi ynë në komunitetin ndërkombëtar dhe rruga jonë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO mbështeten në fuqinë e dialogut ndërkombëtar, bashkëpunimit dhe solidaritetit”, theksoi Gashi.
Me një fjalë përshëndetëse iu drejtua pjesëmarrësve edhe Zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Boetcher, i cili shprehu kënaqësinë që shteti gjerman, përmes Fondacionit Friedrich Ebert, mbështet këtë iniciativë për fuqizimin e bashkëpunimit diplomatik ndërkombëtar.
Drejtoresha e Akademisë Diplomatike, znj. Mirjeta Behluli, në fjalën e saj para të pranishmëve theksoi rëndësinë e këtij edicioni në agjendën e të cilit do të trajtohen tematika të rëndësishme rreth diplomacisë.
Nga 22 deri më 26 shtator, në kuadër të sesioneve të ndryshme, pjesëmarrësit e këtij edicioni do të kenë mundësinë të ndjekin panele diskutimi me ekspertë të fushave të sigurisë, teknologjisë dhe politikës ndërkombëtare, përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore, akademikë dhe diplomatë të karrierës.