Fillon shpërndarja e shujtave ushqimore për nxënësit në Prizren
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të martën së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi-Vezgishi, ka bërë shpërndarjen e shujtave të para për nxënësit e klasave parafillore dhe të klasave 1-5 në shkollat fillore “Haziz Tola” në Prizren, “Dëshmorët e Zhurit” në Zhur dhe “Meto Bajraktari” në Reçanë.
Duke e cilësuar këtë projekt si tejet të rëndësishëm, Haskuka ka thënë se brenda këtyre shujtave ushqimore përfshihen kifle të llojeve të ndryshme, me paketime higjienike për pesë ditë të javës, si dhe
nga një qumësht një herë në javë.
Duke theksuar se ky projekt ka qenë një prej premtimeve të tij, Haskuka ka njoftuar se do të vazhdojë të punojnë në të mirën e qytetarëve, e në veçanti të fëmijëve, të cilët janë bazamenti i një të ardhmeje të ndritur për shtetin.



