Fillon vlerësimi i 1 642 projekteve bujqësore

07 qershor 2018 | 16:28

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka filluar procesin e vlerësimit të 1,642 projekteve bujqësore të fermerëve dhe agrobizneseve vendore, të cilat presin mbështetje përmes masave mbështetëse të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të vitit 2018.

Me rastin e fillimit të këtij procesi, ministri i MBPZhR-së, Nenad Rikalo bashkë me ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv të AZhB-së, Ekrem Gjokaj, kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast edhe kanë treguar se Ministria e Bujqësisë, përveç se ka rritur buxhetin për Programin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural të vitit 2018, e ka rritur edhe transparencën në procesin e vlerësimit të projekteve bujqësore, si dhe ka krijuar lehtësira në disa kritere për aplikim për fermerët.

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, ka thënë se për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim 2018, si dhe për masat tjera për investime në infrastrukturën rurale dhe për investimet në zonat e thella rurale, MBPZhR-ja ka planifikuar një buxhet prej 27 milionë euro.

“Mund t’ju them se prej fillimit të hartimit të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018 jemi u munduar që të përfshijmë sa më shumë akter në përpilimin e tij, duke krijuar në këtë mënyrë edhe shumë lehtësira për fermerët, të cilët aplikojnë për të përfituar grante investive. Po ashtu, në këtë proces një punë shumë të mirë e ka bërë edhe Departamenti për Politika të Zhvillimit Rural. Prandaj, duke pasur parasysh gjitha këto, besoj që implementimi i këtij programi do të jap rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka theksuar Rikalo.

Gjithashtu, ministri Rikalo ka njoftuar se krahas këtyre programeve aktuale, tashmë janë afër nënshkrimit të një marrëveshje me USAID-in për financimin e projekteve të përbashkëta bujqësore për sektorin e pemëve të imta dhe sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike, e që sipas tij ky do të jetë një program shumë atraktiv dhe i kapshëm për fermerët e vendit.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të AZhB-së, Ekrem Gjokaj, ka njoftuar se organi implementues i Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i ka ndërmarrë të gjitha masat që gjatë tërë kohës të ketë një vlerësim të drejtë dhe transparent.

 

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Gjermanisë, Timo Werner duket se nuk do të…