Fillon zbatimi i hallkave elektronike për parandalimin e dhunës në familje
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka mbajtur një takim pune me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, në kuadër të fillimit të implementimit të hallkave elektronike për parandalimin e dhunës në familje.
Në takim ka marrë pjesë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, gjyqtarë të rajonit, përfaqësues të policisë rajonale, avokatë, si dhe përfaqësues të Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave dhe të Shërbimit Sprovues. Qëllimi i takimit ishte koordinimi institucional dhe fillimi i zbatimit të kësaj mase për personat ndaj të cilëve gjykata ka shqiptuar masën e kufizimit të lëvizjes.
Gjatë diskutimeve është theksuar se hallkat elektronike përbëjnë një mjet modern dhe efektiv për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe për forcimin e reagimit institucional në raste të tilla.
Përfaqësuesit e policisë kanë prezantuar mënyrën e vendosjes së pajisjeve, ndërlidhjen me sistemin e monitorimit dhe procedurat që ndërmerren në rast të shkeljes së masës së kufizimit të lëvizjes.
Kryeprokurori Petrit Kryeziu, ka theksuar se ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes më efikase të viktimave dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Ai ka vënë në dukje se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet prokurorisë, policisë dhe gjykatës është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të kësaj mase dhe për parandalimin e rasteve të përsëritura të dhunës.
Në takim, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, drejtori i policisë rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, dhe kryetari i OAK-ut, dega Prizren, Blerim Mazreku, të cilët kanë theksuar rëndësinë e implementimit të hallkave elektronike si mjet mbrojtjeje për viktimat në rastet me masa kufizuese të lëvizjes.
Në përfundim, pjesëmarrësit janë dakorduar që të ndërmerren hapa konkretë për zbatimin praktik të kësaj mase dhe për sigurimin e informimit të vazhdueshëm ndërinstitucional mbi funksionimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike.



