‘Filloni ta shkruani statutin e Asociacionit, ose ua sjellim të gatshëm’, Maliqi e zbërthen porosinë e Escobarit
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ka qenë i prerë rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Escobari ka thënë se ShBA-ja do të punojë për themelimin e tij dhe se kjo është çështja më e rëndësishme për amerikanët.
Publicisti Agon Maliqi ka bërë zbërthimin e porosisë së diplomatit amerikan, rreth asociacionit.
Sipas Maliqit, nga ato që i ka thënë Escobari, Asociacioni nuk themelohet para marrëveshjes së përgjithshme mes Kosovës dhe Serbisë, por mjafton që deri në prill të nisin diskutimet për themelimin e tij. Ai ka thënë se kështu, Kosova forcon pozicionin e saj negociues. Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas planit franko-gjerman është planifikuar të arrihet deri në fund të marsit.
Sipas Maliqit, nga ajo që e ka thënë diplomati amerikan, i bie që nëse Kosova nuk nis ta shkruajë statutin e Asociacionit, ShBA-ja e sjell një draft të gatshëm në prill.
“Ose filloni ta shkruani statutin e Asociacionit vetë, ose ua sjellim të gatshëm në prill duke u konsultuar me të tjerë. ShBA-ja ofrohet të përfshihet në këtë proces. Duke i pasur parasysh qëndrimet publike, ShBA-ja ofrohen si garantuese se statuti është brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk prodhohet një Republika Srpska”, ka shkruar Maliqi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Maliqit:
Porosia e Eskobar zbërthehet kështu:
1) Asociacioni nuk themelohet para marrëveshjes së përgjithshme si parakusht, por deri në prill mjafton të nisin diskutimet. Kjo e forcon pozicionin negociues të Kosovës në definimin e kompetencave. Serbia nuk futet në negociata me asociacion të formuar dhe me mundësinë për të kërkuar më shumë.
2) Ose filloni ta shkruani statutin e Asociacionit vetë, ose ua sjellim të gatshëm në prill duke u konsultuar me të tjerë. ShBA-ja ofrohet të përfshihet në këtë proces. Duke i pasur parasysh qëndrimet publike, SHBA ofrohen si garantuese se statuti është brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk prodhohet një Republika Srpska.
3) Ndëshkimi eventual për Kosovën nuk është, siç mund ta interpretojnë disa, rrëzimi i qeverisë. Kosovës thjesht do t’i ofrohet një draft dhe nëse ai nuk pranohet, nuk mund të ketë marrëveshje normalizimi dhe Kosova nuk mund të llogarisë në mbështetje ndërkombëtare për NATO, BE, Këshill të Evropës. Veriu ndërkohë do të mbetet kështu siç është, eventualisht pa barrikada. Me fjalë të tjera, ose do ta pranoni draftin që ua sjellim, ose mbani përgjegjësi dhe rrini në këtë gjendjen e tanishme. Nëse vendosni me refuzuar, Serbia nuk do të trajtohet si penguese e marrëveshjes por, nëse ia fut ca sanksione Rusisë, edhe mund të mbështetet në agjendën e vet integruese.
Skenari në pikën 3 është ëndrra e Vuçiq.