Film dokumentar mbi aktin final të Helsinkit dhe efektet e tij
Fatmir Lekaj
Filmi dokumentar “The Helsinki Effect” (Efekti i Helsinkit), me regji të Arthur Franck, ka nisur shfaqjen në kinema në janar 2026. Filmi trajton Procesin e Helsinkit, përkatësisht Konferencën e Helsinkit të vitit 1975 dhe krijimin e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE), e cila përbën pararendësen institucionale të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Dokumentari analizon se si, në kulmin e Luftës së Ftohtë, udhëheqësit politikë të Lindjes dhe të Perëndimit përdorën diplomacinë, gjuhën politike dhe kompromisin për ta ruajtur ekuilibrin e pushtetit ndërkombëtar.
Filmi ndërtohet rreth Aktit Final të Helsinkit (1975), i cili në pamje të parë synonte stabilitetin, sigurinë dhe njohjen e kufijve ekzistues në Evropë. Megjithatë, duke u mbështetur në dokumente arkivore, tregohet se ky akt prodhoi pasoja të thella dhe të papritura, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, të lirisë së shprehjes, të zhvillimit të shoqërisë civile dhe forcimit të lëvizjeve disidente në Evropën Lindore.
Më tutje, argumentohet se ky akt, si një kompromis diplomatik kryesisht midis dy fuqive të mëdha – Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara – i menduar fillimisht për ta ruajtur status quo-në, kontribuoi në mënyrë të tërthortë në dobësimin gradual të regjimeve autoritare dhe totalitare. Rrjedhimisht, ky film dokumentar është veçanërisht i rëndësishëm për studimet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë dhe sigurinë evropiane, historinë e të drejtave të njeriut, proceset e demokratizimit si dhe rolin e normave ndërkombëtare në ndryshimet politike.
Sa i përket stilit dhe formës, filmi karakterizohet nga përdorimi i pasur i materialeve arkivore, një qasje analitike me elemente ironie, një rrëfim kritik mbi gjuhën diplomatike, si dhe nga një kombinim i kujdesshëm i historisë politike me reflektimin bashkëkohor.
Për sa i përket vlerësimit kritik, dokumentari konsiderohet gjerësisht si një vepër inteligjente dhe e realizuar me sukses: e thelluar, origjinale dhe jashtëzakonisht aktuale, e cila i jep jetë një ngjarjeje kyçe, por shpesh të nënvlerësuar, të historisë evropiane. Filmi vlerësohet veçanërisht për përdorimin krijues të materialeve arkivore, për një stil narrativ të qasshëm me elemente ironie, si dhe për aftësinë për t’i bërë proceset komplekse diplomatike të kuptueshme dhe tërheqëse për një publik të gjerë.
Po ashtu, theksohet se dokumentari demonstron qartë se si Procesi i Helsinkit dhe dimensioni i të drejtave të njeriut në Aktin Final prodhuan pasoja të papritura, por thellësisht transformuese për zhvillimin e shoqërisë civile dhe të lëvizjeve demokratike në Evropën Lindore.
Filmi interpretohet edhe si një reflektim i rëndësishëm mbi situatën aktuale të sigurisë në Evropë.
Ishte kënaqësi e veçantë të konstatohej se ky film dokumentar, i ndërtuar mbi dokumente arkivore dhe analiza historike, përputhej në mënyrë të natyrshme me librin tim, të botuar në nëntor 2025, i cili trajton të njëjtën temë, Procesin e Helsinkit dhe efektet e tij, duke përfshirë edhe ndikimin e këtij procesi në historinë e re politike të Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt çlirimit.




