Filmi për gjenocidin në Srebrenicë nominohet për Oscar

15 mars 2021 | 16:37

“Quo Vadis, Aida?”, film i regjisores nga Bosnjë e Hercegovina, Jasmilla Zhbaniq, u nominua për çmimin “Oscar”, në kategorinë për filmin më të mirë jashtë botës anglishtfolëse, njoftoi të hënën Akademia amerikane e Filmit.

Filmi flet për gjenocidin në Srebrenicë dhe është i pari me metrazh të gjatë që trajton këtë temë.

Ngjarja zhvillohet në korrik të vitit 1995 dhe personazhi kryesor është Aida – një përkthyese për Kombet e Bashkuara, e cila përpiqet të shpëtojë familjen e saj, pasi ushtria e Republikës Serbe merr kontrollin e Srebrenicës.

Forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, në vitin 1995.

Regjisorja e filmit, Zhbaniq, thotë se “Quo Vadis, Aida?” bazohet në fakte, te të cilat ajo ka arritur duke lexuar dëshmi dhe libra, duke parë video, si edhe duke biseduar me ekspertë dhe dëshmitarë.

Mbi 90 vende të botës kanë mundur të aplikonin për kategorinë e filmit më të mirë jashtë botës anglishtfolëse.

Në këtë kategori tashmë janë nominuar edhe filmi danez “Another round”, filmi nga Hong-Kongu “Better days”, filmi rumun “Collective” e të tjerë.

Çmimet “Oscar”, do të jepen më 25 prill.

Bosnjë e Hercegovina tashmë ka fituar një “Oscar” me filmin “Toka e askujt”, e regjisorit Danis Tanoviq, i cili në vitin 2001 është shpallur filmi më i mirë i huaj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e kaluar do…