Finalissima Argjentinë – Spanjë këtë muaj në Katar? UEFA reagon ndaj spekulimeve

05 mars 2026 | 15:21

E ardhmja e Finalissimas mes Argjentinës dhe Spanjës mund të jetë në dyshim.

Ndeshja e planifikuar të luhet më 27 mars në Doha mund të mos zhvillohet në Katar për shkak të situatës së tensionuar gjeopolitike në rajon.

Megjithatë, UEFA ka reaguar ndaj spekulimeve që qarkulluan në ditët e fundit, duke konfirmuar se është në dijeni të situatës, por duke sqaruar se deri tani nuk janë marrë në konsideratë vende alternative për zhvillimin e ndeshjes.

Institucioni më i lartë evropian i futbollit ka bërë të ditur gjithashtu se janë duke vazhduar bisedimet me organizatorët lokalë në Katar, të cilët po bëjnë përpjekje të mëdha për ta garantuar zhvillimin normal të ndeshjes.

Një vendim përfundimtar pritet të merret në fund të javës së ardhshme.

UEFA ka theksuar se nuk do të japë deklarata të tjera derisa të merret një vendim zyrtar, duke e lënë të hapur si mundësinë që ndeshja të luhet në Doha, ashtu edhe një skenar të mundshëm ndryshimi të vendit të zhvillimit.

Në lojë është një trofe shumë prestigjioz: Finalissima i vë përballë kampionët e Evropës dhe kampionët e Amerikës së Jugut. Në këtë rast do të përballen Spanja, fituese e Euro 2024, dhe Argjentina, fituese e Copa América 2024, kampione e botës në fuqi dhe gjithashtu fituese e edicionit të fundit të këtij turneu në vitin 2022, kur e mundi Italinë 3-0 në Wembley.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jeton Zulfaj që mandatin e kaluar ka ushtruar pozitën e…