
Fiorentina heq dorë nga Asllani
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani është jashtë planeve të Interit dhe kjo është pranuar publikisht edhe nga drejtuesit e zikaltërve. Por ata nuk po bëjnë asgjë që të ndihmojnë mesfushorin që të gjejë një sistemim të ri.
Pasi Asllani refuzoi Betisin, sepse dëshiron të vazhdojë të luajë në Serinë A, u përfol se dy skuadra kishin mbetur në garë për të, të interesuara për të siguruar shërbimet e mesfushorit kuqezi. Fiorentina dhe Bologna janë në kërkim të përforcimeve në mesfushë dhe shohin tek Asllani një element që mund t’i ndihmojë të bëjnë një tjetër hap cilësor. Por mediat italiane raportojnë se Fiorentina është tërhequr nga interesimi për futbollistin, për shkak të çmimit të lartë që Interi i ka vendosur kartonit të tij. Zikaltrit kërkojnë 18-20 milionë euro për të lënë të lirë futbollistin e Kombëtares dhe në Itali kjo shifër nuk paguhet lehtësisht.
Ndaj klubi i qytetit të Firences është tërhequr dhe tashmë është një opsion më pak për të ardhmen e Asllanit.