Firma e sanksionuar serbe eksportoi pjesë avionësh në Rusi, përfshirë edhe nga ShBA

16 maj 2025 | 12:02

Kompania serbe Sprocure, e cila u përfshi më 14 maj në paketën e 17-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Rusisë, ka transportuar në Rusi 170 dërgesa brenda një viti e gjysmë.

Hulumtimi i Radios Evropa e Lirë (REL) mbi të dhënat doganore tregon se vlera e këtyre dërgesave nga mesi i vitit 2022 deri në fund të vitit 2023 ka kaluar shumën prej 9.7 milionë dollarësh.

Sipas bazës së të dhënave Import Genius, në Rusi kanë përfunduar pjesë për avionë që ndodhen nën regjim të veçantë sanksionesh që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022.

Paketa e re e sanksioneve ndaj Rusisë, e cila pritet të miratohet më 20 maj, përfshin edhe kompani nga vendet e treta që ndihmojnë indirekt përparimin ushtarak dhe teknologjik të Rusisë, duke shmangur sanksionet.

Sprocure u themelua në gushtin e vitit 2022, gjashtë muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, me veprimtari të deklaruar si “ndërmjetësim në shitjen e produkteve të ndryshme”.

Fillimisht, pronare dhe drejtoreshë ishte shtetasja e Serbisë, Zinete Mehmeti, por në fillim të vitit 2024, kur Departamenti amerikan i Shtetit filloi sanksionimin e kompanive nga Serbia, pronësia ndryshoi.

Pronari dhe drejtori i ri u bë shtetasi turk, Erdal Iihan.

Në faqen zyrtare, Sprocure paraqitet si shpërndarës ndërkombëtar i pjesëve për industrinë e aviacionit, me synimin të ofrojë edhe menaxhim riparimesh dhe logjistikë.

Sipas raportit të fundit financiar, kompania ka realizuar të ardhura prej 1.4 milion dollarësh në vitin 2024, ndërsa në vitin 2023 këto ishin 2.5 milionë dollarë.

REL-i ka analizuar të gjitha eksportet që Sprocure ka bërë drejt Rusisë në 18 muajt e parë të veprimtarisë.

Sietëlli dhe Majami, pikënisje të disa dërgesave për në Rusi

Të dhënat doganore tregojnë se nga shtatori i 2022-tës deri në fund të 2023-tës, mallra me vlerë rreth 2 milionë dollarë u eksportuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Rusi, kryesisht përmes Turqisë. Pikat e nisjes ishin shpesh qytetet amerikane Sietëll dhe Majami.

Në Sietëll ndodhet edhe selia e gjigantit të aviacionit Boeing. Të dhënat doganore tregojnë se pjesë me vlerë prej 110 mijë dollarësh kishin shënimin e kësaj kompanie.

Në një përgjigje për REL-in, më 15 maj 2024, Boeing tha se respekton të gjitha rregulloret dhe nuk eksporton mallra në Rusi.

“Në mars 2022 ndërpremë të gjitha operacionet kryesore në Rusi, përfshirë shpërndarjen e pjesëve, mirëmbajtjen dhe mbështetjen teknike për klientët”, thuhet në përgjigje.

Një tjetër prodhues i madh i pajisjeve të avionëve, produktet e të cilit u eksportuan në Rusi përmes Sprocure, është kompania amerikane Honeywell, me seli në Arizona. Kjo kompani furnizon rreth 90 për qind të avionëve dhe 80 për qind të satelitëve në botë.

Vlera e produkteve të kësaj kompanie që përfunduan në Rusi është mbi 400 mijë dollarë.

Honeywell konfirmoi për REL-in se që nga viti 2022 ka ndalur aktivitetin në Rusi dhe Bjellorusi, duke respektuar plotësisht sanksionet dhe ligjet për eksportin.

“Që nga ajo kohë nuk kemi shpërndarë asnjë pajisje, pjesë apo produkt në Rusi, dhe po punojmë aktivisht për të parandaluar çdo mundësi të devijimit të produkteve tona drejt Rusisë përmes palëve të treta”, u tha në përgjigje.

REL-i ka kërkuar gjithashtu informacione nga Shërbimi Doganor dhe Kufitar i SHBA-së, por kërkesa për të dhëna më të detajuara u refuzua.

Për mallra me vlerë mbi 7 milionë dollarë nuk ka të dhëna për markat, ndërsa për mallra me vlerë 5 milionë dollarë nuk dihet origjina. Për 2 milionë dollarë është caktuar origjina amerikane, ndërsa për 1.5 milionë dollarë origjina e deklaruar është Serbia.

Sprocure nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e REL-it pasi u përfshi në listën e zezë të BE-së.

Kush janë përfituesit kryesorë të dërgesave përmes Sprocure në Rusi?

Nga pala ruse, përfituesi më i madh i dërgesave të bëra përmes kompanisë Sprocure ishte kompania S7 Engineering, e cila ka pranuar mallra në vlerë prej 2 milionë dollarësh.

S7 Engineering është degë e kompanisë ajrore Siberia Airlines.

Kjo kompani ka nënshkruar kontrata edhe me institucionin shtetëror rus, Eskadroni i Aviacionit Special të Rusisë, që vepron në kuadër të Zyrës për Çështjet e Presidentit të Federatës Ruse.

Afër 5 milionë dollarë mallra janë dërguar në kompaninë Jetica LLC, e cila sipas të dhënave në bazën e kompanive ruse Spark është e regjistruar si një kompani që operon në fushën e transportit ajror.

Selia e saj ndodhet në Moskë dhe si pronare figuron Izmailova Darya Mikhailovna.

REL-i kishte raportuar për Sprocure edhe në vitin 2023

Radio Evropa e Lirë kishte raportuar më parë për aktivitetet e Sprocure në nëntor 2023, në një hulumtim për fitimet milionëshe të kompanive serbe përmes shmangies së sanksioneve ndaj Rusisë. Aty zbulohej se pajisje dhe pjesë të avionëve të prodhimit perëndimor eksportoheshin në Rusi përmes Sprocure nga Beogradi. Dërgesat përfshinin vajra për motorë avionësh, goma, pajisje sinjalizuese zanore dhe vizuale, bateri dhe akumulatorë.

Asokohe, pronarja Zinete Mehmeti nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it. Sprocure është kompania e katërt nga Serbia që futet në listën e zezë të BE-së për sanksione ndaj Rusisë, pas Conex, Kominvex dhe Soha Info./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka…