Fisnik Asllani po shkëlqen në Bundesligë: Po jetoj ëndrrën e babait tim
Sulmuesi i Hoffenheimit dhe Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani është kthyer në një nga emrat më të lakuar në Bundesligën gjermane këtë sezon, duke kontribuuar në formën e mirë të skuadrës me gola dhe asistime në vitin e tij të parë si titullar.
Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të Bundesligës, 23-vjeçari ka treguar sekretet e formës së tij të lartë dhe krenarinë që ndjen duke përfaqësuar Kosovën.
Asllani është shprehur se suksesi i tij vjen si pasojë e punës që nuk e ka ndalë kurrë, edhe kur gjërat nuk dukeshin premtuese gjatë huazimeve te Austria Vienna dhe Elversberg. “Përpiqem ta shijoj futbollin dhe të argëtohem. Kur jam i lumtur, luaj futbollin tim më të mirë”, ka thënë Asllani, duke shtuar se e sheh profesionin e tij si një hobi që është bërë punë.
Për Asllanin, qëndrimi me këmbë në tokë vjen nga edukimi familjar dhe sakrificat e prindërve të tij që kishin ikur nga lufta. “Në një farë mënyre po jetoj ëndrrën e babait tim. Ai dëshironte të bëhej futbollist profesionist, por nuk i pati mundësitë”, ka thënë ai.
Sa i përket përfaqësueses, Asllani ka qenë protagonist kryesor për Kosovën, duke shënuar gola vendimtarë në kualifikimet për Botëror dhe në gjysmëfinalen e “play-off”-it kundër Sllovakisë. Ai deri më tani ka shënuar katër gola në 14 paraqitjet e para me “Dardanët”.
Ndonëse Hoffenheimi po kalon një moment rënieje pas një fillimi fantastik, ekipi mbetet në top-gjashtëshen e tabelës. Asllani e sheh përballjen e radhës kundër Dortmundit (vendi i dytë) si një mundësi të shkëlqyer për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.
“Dortmundi është i dyti për një arsye, por ne do të fokusohemi te vetja dhe do të japim gjithçka”, ka thënë Asllani.



