Fisnik Asllani vazhdon shkëlqimin në Bundesliga, kërkohet nga top klubet evropiane
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, ka vazhduar formën e shkëlqyer në Bundesligë, duke shënuar sot në ndeshjen mes Hoffenheimit dhe Heidenheimit, e vlefshme për javën e tetë të kampionatit gjerman.
Asllani ka shënuar sot golin e tij të pestë në këtë sezon në Bundesligë, duke ndihmuar Hoffenheimin të fitojë 3:1 ndaj Heidenheim.
Ai po kalon një periudhë të shkëlqyer dhe aktualisht renditet i katërti në listën e golashënuesve të Bundesligës.
Forma e Asllanit është lajm i mirë edhe për Kombëtaren e Kosovës, që në ndeshjet e nëntorit do të kërkojë rezultate pozitive në përballje me Slloveninë dhe Zvicrën.
Gazetari sportiv gjerman, Florian Plettenberg, ka theksuar se sulmuesi Asllani do të largohet nga Hoffenheim në këtë verë për shkak të një klauzole lirimi.
Për talentin shqiptar ka interes të madh nga disa ekipe të mëdha europiane, përfshirë FC Barcelonën.
“FCBarcelona është ndër ekipet e interesuara, me klube nga Anglia dhe disa skuadra të mëdha në Gjermani që gjithashtu e mbajnë nën vëzhgim nga afër”, ka shkruar gazetari gjerman në rrjetet sociale.



