Fitim Selimi: HAGA NUK MUND TA GJYKOJË LIRINË E KOSOVËS

11 gusht 2025 | 10:00

Epilogu i një të vërtete që nuk ndryshohet nga asnjë vendim. Një moment vendimtar në histori.
Ka çaste kur kombet ndalen dhe shikojnë pas, jo për të rikthyer kujtimet, por për të matur rrugën që kanë bërë dhe çmimin që kanë paguar. Sot, ndërsa presim epilogun e gjykimit në Hagë, nuk jemi thjesht spektatorë të një procesi gjyqësor; jemi dëshmitarë të një prove historike për të vërtetën tonë kombëtare.
Liria nuk ishte e vetmuar
Në asnjë etapë dhe në asnjë aspekt, përfaqësuesit e projektit për çlirim nuk kanë qenë të vetmuar, e aq më pak “krye në vete”:
– Përgjegjësia për padrejtësinë ndaj shqiptarëve të Kosovës – për vrasjet dhe gjenocidin – ra mbi Serbinë, e cila u godit nga raketat e NATO-s, në një bashkëveprim të plotë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
– Shpallja e Pavarësisë mori përgjigjen nga bashkësia ndërkombëtare, përmes njohjes nga mbi njëqindë shtete, duke legjitimuar vullnetin e popullit tonë.
– Përgjegjësia juridike iu adresua Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me një opinion që e qartësoi të drejtën e Kosovës.
– Strukturimi i shtetit të Kosovës u bë në koordinim të plotë me faktorët që përcaktojnë rendin botëror.
– Inatçorët kanë qenë gjithmonë të zëshëm, por asnjëherë triumfues; vetë inati i tyre do t’i ndalë.
E vërteta që nuk ndryshohet nga gjykatat
Përgjigjja e çdo gjykate ndërkombëtare lidhur me ndërmarrjet e përbashkëta çlirimtare midis UÇK-së dhe NATO-s, në luftën për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, nuk mund të jetë tjetër veçse e përputhshme me të vërtetën historike dhe politike.
Ky epilog nuk është fundi i një historie, por kapitulli që do të vulosë një të vërtetë: se liria e Kosovës nuk ishte një akt i izoluar rebelësh, por një përpjekje e drejtë, e bashkërenduar dhe e mbështetur nga bota demokratike. Çdo vendim që nuk e pasqyron këtë, nuk do të jetë thjesht padrejtësi ndaj individëve, por një plagë mbi kujtesën historike të njerëzimit.
Le ta dinë të gjithë – nuk ka gjykatë, nuk ka aktakuzë dhe nuk ka vendim që mund të ndryshojë faktin se Kosova është e lirë sepse e fitoi lirinë me të drejtën, me sakrificën dhe me aleancën e së mirës kundër së keqes. Historia e ka dhënë tashmë verdiktin; Hagës i mbetet vetëm ta shkruajë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daut Haradinaj ka reaguar pas ngjarjeve tragjike të 10 gushtit,…