Fitore Pacolli pretendon se videoja u manipulua, thotë se qytetari e sulmoi asistentin e saj

25 korrik 2025 | 22:14

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në një lokal në Prishtinë, ku ajo u përball  verbalisht me një qytetar, Agim Pllashnikun.

Në reagimin e saj Pacolli thotë  se ngjarja nuk ishte spontane, por një akt i organizuar dhe i qëllimshëm kërcënimi, i kryer nga një individ që, sipas saj, “njihet nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme”.

“Sot, në ambientet e lokalit ‘Home’, u përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky sulm nuk ishte aspak spontan, por i organizuar dhe i mirëkoordinuar”, thuhet në reagimin e saj.

Sipas Pacollit, videoja që ka qarkulluar në rrjete sociale është e manipuluar dhe nuk përfshin momentet kur “agresori ka sulmuar fizikisht asistentin tim” dhe kur “tenton të fusë dorën në çantën që mbante me vete, për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë”.

Deputetja thekson se përveç familjarëve të Pllashnikut, në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm edhe zyrtarë policorë dhe përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit.

Pacolli ka kritikuar ashpër mediat për mënyrën si e kanë trajtuar ngjarjen.

“Disa portale, ‘gazetarë’ dhe ‘analistë’, të financuar nga oligarkë dhe interesa të errëta, po e paraqesin këtë sulm të rrezikshëm si akt ‘heroik’. Ata nuk po informojnë publikun, por po shërbejnë si instrumente të dhunës së organizuar kundër meje.”

Deputetja e Vetëvendosjes shtoi se këto veprime po përkthehen në kërcënime, thirrje për dhunë dhe sulme personale, por se ajo nuk do të tërhiqet nga angazhimi i saj politik:

“Unë nuk do të frikësohem. Nuk do të hesht. Nuk do të tërhiqem. Do të vazhdoj, sypatrembur dhe e palëkundur, rrugën time të drejtë. Dhe nuk do të lejoj që e vërteta të deformohet nga ata që përkrahin dhunën dhe krimin.”

Policia e Kosovës ka ndaluar Agim Pllashnikun. Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit ai është liruar në procedurë të lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një iniciativë private po organizon një udhëtim njëditor posaçërisht për…