
Fjala e Nait Hasanit para arkivolit të veprimtarit Ekrem Jashari
E nderuara familje e bacës Ekrem,
Të nderuar bashkëluftëtarë, veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar miq e shokë nga të gjitha trevat shqiptare, që sot jeni mbledhur në varrezat e veteranëve të UÇK-së në Ferizaj për t’i dhënë lamtumirën e fundit Bacës Ekrem.
Në Gjenevë, pardje, u nda nga jeta – por vetëm fizikisht – Ekrem Jashari-Baca Ekrem.
Ai ishte një nga themeluesit e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një atdhetar i paepur në shërbim të çështjes kombëtare dhe çlirimit të Kosovës. Ai dhe familja e tij dhanë gjithçka për lirinë dhe bashkimin kombëtar.
Sot është një ditë e dhimbshme për mua dhe për të gjithë ata që e njohën Bacën Ekrem – në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në diasporë. Është e rëndë ndarja nga jeta e këtij tribuni popullor.
Para nesh ndodhet trupi i tij, i shtrirë në arkivol, i mbuluar me flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare – një simbol i idealeve të burgosurve politikë, i atyre që me sakrificë e mbajtën gjallë shpirtin kombëtar, luftëtarëve të lirisë dhe bashkimit kombëtar dhe luftëtarëve të UÇK-së.
E njoha këtë burrë të fortë të Ferizajt – të këtyre anëve me tradita rezistence shekullore – në kohët më të vështira për shqiptarët e Kosovës. E takova në Tiranë, pasi ai kishte shpëtuar nga arrestimet e UDB-së gjatë korrik-gushtit të vitit 1993, kur po goditeshin anëtarët e Lëvizjes Popullore për Kosovën.
Në ato kohë të errëta, kur frika e shtypte çdo mendim e shpresë, kur asgjë nuk ishte e sigurt – as jeta, as familja – dhe kur partitë politike në Kosovën e okupuar kishin heshtur nga frika, po lindte një organizim i ri. Ai organizim politik dhe ushtarak, që do të merrte emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u bë shpresa dhe rruga drejt lirisë.
Djemtë dhe vajzat tona – nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, diaspora – nuk duruan më. Ata, të organizuar në LPK, kapën armët dhe u bënë ushtarë të atdheut për çlirimin nga Serbia. Në këtë frymë, pata fatin të bashkëpunoj në koordinimin e njësive të armatosura të UÇK-së, dhe në Tiranë takova Bacën Ekrem së bashku me Azem Sylen, Xhavit Halitin, Xheladin Gashin dhe Ali Ahmetin si pjesë e Shtabit të UÇK-së.
Atje e njoha Bacën Ekrem si një njeri të urtë e të vendosur, me karakter të hekurt, atdhetar të pakompromis, që më dha kodet sekrete dhe kontaktet për themelimin e njësive të para të UÇK-së në Ferizaj. Përmes tij u lidha me Rexhep Bislimin, Vezir Jasharin dhe Xhavit Gashin – dhe bashkë themeluam njësitin e parë të UÇK-së në Ferizaj dhe Nerodime, duke krijuar një zonë të re të aksionit për çlirimin e Kosovës.
Fryma atdhetare, vullneti i pathyeshëm dhe besimi i Bacës Ekrem se liria fitohet vetëm me qëndresë e luftë të armatosur, u bënë frymëzim për të gjithë ne.
Falë luftës sonë dhe kontributit të tij si një nga themeluesit e parë të celulave të UÇK-së, sot ne e gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Sot, kur qëndroj këtu para trupit të tij, i mbuluar me flamurin kombëtar, ndjej krenari që e patëm mes nesh një njeri që i dha gjithçka kombit dhe atdheut, që jetoi dhe veproi me familjen në shërbim të bashkimit kombëtar.
Ai, edhe nga kjo botë, na lë amanet idealizmin dhe përkushtimin për bashkimin e trojeve shqiptare.
Baca Ekrem, me veprën tënde kombëtare, u bëre pjesë e historisë sonë dhe do të kujtohesh ndër brezat si shembull i sakrificës dhe guximit për liri.
Në takimin e fundit, para një muaji kur erdhëm me të pa së bashku me Fatmire Zogu-Hasanin në banesën tënde në Gjenevë, edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore, na tregove madhështinë tënde: me kujtesë të qartë, me mendim të thellë për gjendjen në Kosovë, shprehje shqetësimin për Hashimin, Rexhën, Kadriun e Jakupin – shokët tanë që padrejtësisht po gjykohen në Hagë. Kërkove që të bëjmë gjithçka për lirinë e tyre, përmes protestave dhe veprimit – për të mbrojtur luftën tonë të drejtë.
Ky qëndrim të bën të pavdekshëm – pishtar i lirisë.
Tani, pusho në paqe, Baca Ekrem, përkrah Rexhës, Vezirit, Xhavitit dhe të gjithë dëshmorëve që me lavdi i dhanë jetë lirisë së Kosovës.
Lamtumirë, Baca Ekrem!
Lavdi jetës dhe veprës sate!
Nait Hasani
Ferizaj, 24 qershor 2025