FJALIMI I ALI AHMETIT NË ZHELINË

01 shkurt 2025 | 14:37

Vëllezër e motra,
I nderuar Kryetar i Degës,
Dega e BDI-së,
kryetarë të këshillave vendor,
forumi i grave,
forumi rinor!

Është krenari për ne si përfaqësues të BDI-së, për të gjithë vlerësimin që i jep elektorati shqiptar, për të gjithë solidaritetin dhe shqetësimin që bashkërisht e ndajmë që nga Struga deri në Likovë, sallat janë të mbushura plot e përplot, që kjo tregon se njerëzit kanë shqetësim mbi zhvillimet, mbi përcaktimet se si janë bërë nga mandatari që sot ushtron detyrën e kryeministrit, por që nuk i bëri llogaritë ashtu si duhet në favor të stabilitetit, në favor të respektit të komunitetit të dytë më të madh në vend.

Legjitimitetit që fitoj Fronti Europian përball të gjithë asaj fushate e histerie 7 vjet e gjysmë të organizuar nga VMRO-DPMNE-ja me politikat të sofistikuara gjoja se kundër BDI-së, që në thelb kanë qenë politika anti-shqiptare.

Është një e vërtetë që ne jemi nuk jemi supërfuqi.

Ne jemi një shtet i vogël që kokë për kokë banorët mund të numërohen dhe të njihen.

Këtij vendi nuk i duhet as zënka e përplasje, as poshtërim i njërit komunitet apo tjetrit komunitet.

Sepse çdo komunitet ka dinjitetin dhe identitetin e vet.
Ne kurrë nuk i kemi poshtëru bashkëqytetarët tanë maqedonas edhe pse të gjithë rreth e rrotull ua kanë mohu gjuhën, historinë, identitetin, shtetin, ne gjithmonë kemi qenë solidarë.
Sepse janë vetë të përcaktuar dhe ne përkrahim dhe mbështesim përcaktimin e tyre dhe vullnetin e tyre.
Prandaj ky vend kaq i vogël ka nevojë për paqe, stabilitet, siguri, ardhmëri, eurointegrime, për zhvillim e përparim në ekonomi, infrastrukturë e arsim, shëndetësi e ambient e jo të nënçmohet komuniteti i dytë më i madh, të poshtërohen ashtu siç e hapi djali i ri këtë takim, me shkelje të legjitimitetit dhe poshtërim të shqiptarëve.

Nuk mund të përparosh e të ecësh përpara nëqoftëse poshtëron dhe mohon komunitetin e dytë më të madh në vend, po qoftë edhe një komunitet i vogël.
Ne jemi autokton dhe e gjithë ajo fushatë anti-shqiptare që kushdo të flas shqip le të ik në Shqipëri se nuk u fliska shqip edhe shqiptarët pse nuk kërkojnë gjuhë shqipe në Gjermani, apo arabët e Algjirit ta kërkojnë gjuhën arabe në Francë.
Ne nuk jemi as të Gjermanisë, as nuk jemi arabë të Algjirit të vendosur në Francë.
Ne jemi autoktonë dhe jetojmë bashkë me diellin pa hy në histori të lashtësisë për të bërë krahasime mes popujve sesa është vjetërsia e tyre dhe kush është historia e tyre.
Sepse secilit i pëlqen historia e vet, gjuha e vet, folklori i vet, secilit i pëlqen e kaluara e vet.

Edhe neve na pëlqen historia jonë, gjuha jonë, kultura jonë.
Por ama nuk e teprojmë duke u rënë në qafë dhe t’ua mohojmë të tjerëve.
Prandaj ne në të gjithë këto tubime këtu në vend e jashtë që i kemi bërë, kemi dashur të ndajmë një shqetësim që gjërat po na kthejnë pas, dhe ne nuk duam të kthehemi pas sepse po të kthehemi pas nuk është mirë për asnjë palë, po ja që për fat të keq shkuan dhe prekën të ligji i gjuhës.
Ligji i gjuhës siç e tha parafolësi është larë e fituar me gjak, mos prek aty ku është derdh gjaku, sepse gjaku është i shenjtë.
Hoqën përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
Që nuk është mirë.
Tani kanë hequr inspektoratet e gjuhës.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë të rënosh Marrëveshjen paqësore të Ohrit, të përjashtosh garantuesit e kësaj Marrëveshje, SHBA-të, BE-në, NATO-n.
Kjo do të thotë të shkelësh e të poshtërosh historinë më të ndritshme, më të fortë, që shqiptarët i bëri zot në shtëpi të vet, UÇK-në, ky është poshtrim që i bëhet ushtrisë, sepse me gjak është larë kjo gjuhë që e kemi fitu, jo dhuratë.
Dhe ne nuk kërkojmë nëse na heqin ndonjë dhuratë të 11 tetorit apo 29 nëntorit, neve mos na prek ligjin e gjuhës sepse e kemi larë me gjak.
Kjo është e rëndësishme.
Vëllezër, duhet të gjithë shqiptarët të mobilizohemi si një trup i vetëm sepse po na rrezikohet qenia jonë gjuhësore, po shkilet gjaku i të rënëve, prandaj zërin lartë e më lartë duhet ta ngrisim dhe ta marrë vesh çdo kush që po u prek gjuha shqipe, shqiptarët nuk mund të jenë të qetë.

Dje, pardje, informacione shqetësuese.

Të pushohen nga puna inspektoratet për kontrollin e gjuhës, për respektimin e ligjit, zbatimit të tij.

Po hiqet e drejta e diasporës të votojë.

Ne këto shqetësime i ngrisim sepse duam vendin tonë.
Vëllezër e motra, këtë duhet ta dinë bashkëqytetarët tanë maqedonas.

Ata duhet të dëgjojnë zërin e shqiptarëve, sepse jemi bashkëqytetarë të tyre.
Por në veçanti krerët e partive politike maqedonase duhet ta dëgjojnë zërin e shqiptarëve se ky vend është edhe i shqiptarëve.
Nuk bën njerëzit t’i mësojnë e t’i edukojnë mbrapsht, ashtu siç dëgjohen opinione të përditshme se asgjë shqiptare nuk ka këtu, se shqiptarët kanë ardh nga malet dhe i kanë dëbuar maqedonët.

Gjëra të pavërteta.
Dhe ky edukim nuk i bën mirë shëndetit të shtetit.
Prandaj partitë politike që drejtojnë me komunitetin e vet maqedonas duhet të kenë përgjegjësi se ky vend ka ardhmëri, por ka ardhmëri duke u bashkëkoordinuar dhe duke punuar bashkë për këto procese të rëndësishme.
Vetëm maqedonasit nuk mund të shkojnë në Evropë, as shqiptarët të vetëm nuk mund të shkojnë në Evropë.
Bashkë duhet t’i zgjidhim problemet që përballemi, bashkë duhet t’i zbatojmë Marrëveshjet, si Marrëveshjen e Ohrit e cila akoma ka punë për t’u bërë.
Si Marrëveshjen e Prespës, si Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, bashkë duhet t’i bëjmë.
Bashkë të jemi në proceset e rëndësishme, ndërtohet vendi, të përparojë vendi në ekonomi, të rrisim cilësinë në arsim, shëndetësi, infrastrukturë.
Mbani mend kur filloi korridori i 8-të, dy muaj nuk u ndalën mediat “Golema Albanija”.
Çfarë ndodhi?
Zhelina nuk është “Golema Albanija”, 200 km e ka kufirin ne Qaftë Thanë.
Ne nuk luftojmë për Shqipëri të Madhe, ne luftojmë për Evropë.

Ne luftojmë që të hiqen kufijtë mes shteteve, si e keqe e madhe e njerëzimit.
Të mos na përsëriten ngjarje e histori që me gjak e sakrifica i kemi paguar.
Por bashkë t’i heqim këto të kqija që i kanë ndodh Ballkanit, të hiqen kufijtë, të jetojmë të lirë.
Çka e ka gjet Evropën që i kanë hequr kufijtë, a u shkatërruan, a u asimiluan ata?
Përkundrazi, Evropa është bërë edhe më e fortë, bile bile si shkojnë politikat globale, BE duhet të na lus që sa më parë të jemi pjesë e Evropës sepse Kina është në erozion të hatashëm drejt pushtimit të tregjeve, por edhe me popullatë të Evropës.
Në çfarë konkurrence po ballafaqohemi.
Kështuqë, në këto filozofi, në këto përcaktime ne i ftojmë të gjithë partitë politike maqedonase edhe në edukimin e elektoratit të vet por edhe në respektim e përparim të këtyre agjendave përparimtare.
Sa u takon këtyre tanëve, më duhet ta përsëris, Faik Konica ka thënë: Ruaje zot Shqipërinë prej shqiptarëve, se prej armiqve e ruaj vet.
Këta kanë gabuar shumë, dhe e vetmja mundësi është që ato të tërhiqen, të mos bëhen pjesë e këtij poshtërimi që VMRO-ja si hakmarrje ndaj UÇK-së, ndaj të arriturave të shqiptarëve e ka bërë aktin e fundit me anashkalimin dhe poshtërimin e legjitimitetit.
Mos të bëhen pjesë, sepse janë 100 mijë që kanë votuar andej.
Nëse këta nuk dëgjojnë të solidarizohen me njerëzit, nuk i dilet përballë popullit, nuk kam ardh unë të bëj moral unë.
Sepse asniher s’kam qenë oficer për moral, por për barrikada.

Nuk bëj moral te ju.

Sallat janë plot e përplot, këtu e në Evropë.
Le ta shofin krerët e këtyre partive që janë bë bashkë, na kanë turpëru.
Që ta lajnë turpin mirë bëjnë që të tërhiqen.
Ata votues janë vëllezërit tanë, nuk mund të konfrontohemi me ta, e as me kryetarët e partive.
Pavarësisht sa janë të mëdha.
Përsëri janë njerëzit tanë, por mos solidarizohen me poshtërim të shqiptarëve, mos i rëno të arriturat me gjak që i ke bë.

Falemnderit!

Ali Ahmeti,
Zhelinë, 31. 01. 2025!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka postuar një…