Fjalimi i Lumir Abdixhikut mbrëmë në hapjen zyrtare të fushatës së LDK-së

14 shtator 2025 | 11:48

“Mirëmbrëma Kosovë,
Mirëmbrëma Prishtinë,
Mirëmbrëma mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Mirë se vini në tubimin më të madh elektoral në vend. Mirë se vini në shtëpinë e të djathtëve, në shtëpinë e lirisë, në shtëpinë e pavarësisë, në shtëpinë e vet demokracisë!
Ja ku po nisim prapë.
Më të fortë. Më të bashkuar. Siç dimë vetëm ne.
Sepse lodhja nuk na ndal, ëndrrat nuk na shuhen, besimi gjithmonë na ngre në këmbë. Dhe koha është të ngrihemi sërish në këmbë.
Gjithandej nëpër Kosovë; me një ëndërr, me një shpresë dhe me një thirrje që nuk ndalet asnjëherë – LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë!
Sonte jemi mbledhur jo vetëm për një tubim të radhës elektoral. Sonte jemi mbledhur për të ndezur shpresën e një populli. Për ta kthyer besimin në politikë dhe në Republikë. Sonte jemi mbledhur për të nisur rrugëtimin e madh drejt fitores së 12 tetorit; dhe me gjithë të, për të nisur një kapitull të ri të jetës në vend.
Jemi mbledhur nga të gjitha anët e Kosovës.
Nga Peja, ajo lule e Dukagjinit, nga Istogu, burim i djathtizmit.
Jemi mbledhur nga Deçani, Juniku e Klina,
Nga Anamorava, Gjilani, Vitia, Artana e Kamenica,
Nga Mitrovica, Vushtrria, Obiliqi e Drenica,
Nga Gjakova, Prizreni, Suhareka e Dragashi,
Nga Ferizaji, Shtimja, Malisheva e Rahoveci,
Nga Lipjani, Fushë Kosova, Llapi i madh, Prishtina e krejt Kosova.
Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës,
Ky është rrugëtimi ynë i ri! Sonte, themi me gjithë zemër krejt Kosova LDK!
Dhe ju them, ju premtoj, ju zotohem, se çfarë kemi nisur sonte këtu, do të kushtrojë fort e do të mbahet në mend gjatë, jo vetëm gjatë këtij muaji elektoral, por do të kushtrojë fort e gjatë, për gjenerata të tëra që do të vijnë pas.
Do të shikojmë me mburrje në këtë 13 shtator, e do të kuptojmë, se ndryshimi i vjeshtës nisi mu në këtë sallë! Nga kjo sallë LDK dhe Kosova u bënë bashkë, u bënë një.
Zonja e zotërinj,
Sonte nuk po nisim vetëm një fushatë.​
Sonte po nisim një kryengritje shprese. Sonte po hapim kapitullin e ri të qyteteve tona, të komunave tona, të Republikës sonë.
Dhe në këtë kapitull shprese, duhet të kujtojmë dhe forcën tonë. T’i kujtojmë vetës dhe të tjerëve se kush jemi ne.
Jemi pasardhësit e qëndresës, jemi pasardhësit e rezistencës! Jemi pasardhësit politik të shqiptarit më të madh të kohërave, jemi pasardhës politik të Dr. Ibrahim Rugovës.
Dhe para vetes, në këtë rrugë të re, kemi një kushtrim, një detyrë, një obligim. Të ëndërrojmë shumë, të luftojmë fort, të fitojmë me dinjitet për Republikën tonë!
Sepse ëndrra e themeltarëve të Republikës, nuk ishte vetëm pavarësia. Ishte shteti që mban mbi shpindë dinjitetin e çdo qytetari. Ishte Kosova e zhvillimit, e shkollës dhe e spitalit, e rrugës dhe e dritës, e kulturës dhe e familjes.
Prandaj ky është misioni ynë sot.​
Një Kosovë e shkollës e shnetës, rrugës e dritës, kulturës e familjes!​
Ky është obligimi ynë në këto zgjedhje.
Katër vite më parë, populli i Kosovës, i dha Lidhjes tonë, mbështetjen më të madhe në zgjedhje lokale. Katër vite më parë, LDK, me nëntë komuna në qeverisje, me 209 këshilltarë lokal në çdo anë të Kosovës, me votues e mbështetës brenda e jashtë, morri përgjegjësinë më të madhe elektorale në vend. Të prijë me dinjitet. Të udhëheqë si model.
Sot, katër vite më pas, ne shikojmë me plot mburrje në shenjat e lëna e rezultatet e arritura nga ekipet tona nëpër Kosovë. Kur shikojmë Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Vitinë, Fushë Kosovën, Obiliqin, Junikun e Dragashin – e kuptojmë dhe dallimin tonë që kemi me secilin tjetër në Kosovë.
Në komunat tona gjen investime kapitale që definojnë kohë.
Në komunat tona gjen mësim tërëditor për fëmijët tanë.
Gjen çerdhe të reja për më të vegjlit tanë më shumë se një Qeveri e tanë. Gjen transport urban efikas, gjen turizëm, kulturë, sport e gjelbërim. Gjen hapësira publike, qendra shëndetësore e kujdes njerëzor.
Pra, në komunat tona gjen, para së gjithash punë dhe përkushtim.
Fjalët e thata ua kemi lënë atyre që kanë kohë për to. Ne kishim tjetër gjë në mendje.
Përparimi, Gazi, Imriu, Xhafa, Iliri, Sokoli, Bexheti, Burimi e Ruzhdiu kanë pasur punë për të bërë. Prandaj do të fitojnë sepse populli i vlerëson! Prandaj, të dashur kryetarë aktual, në emër të të gjithë kësaj mase këtu, ju faleminderit nga zemra që na keni zbardhur fytyrën neve, LDK-së e gjithë popullit të Kosovës.
Këto janë komuna ku qytetari e di se fjala jonë mbahet, se pushteti është shërbim, se qeverisja është punë e përditshme dhe jo spektakël mediatik.
Por njëkohësisht, këto janë komuna ku kryetarët tanë, njerëzit tuaj, janë ballafaquar jo vetëm me mungesë të plotë të mbështetjes qendrore, por me pengim sistematik ndaj punëve tona.
I kanë bllokuar, i kanë penguar, i kanë trajtuar si qytete të dorës së dytë këta pushtetarë që për rekord pune kanë një urë dy metërshe atje në Saradran.
I kanë penguar, por këta nuk janë ndalë!
I kanë bllokuar, por këta ja kanë dalë!
Sepse, nuk po e kuptojnë bllokuesit dot, se LDK, njerëzit tanë, besimi ynë, nuk ndalet kurrë, nuk ndalet dot!
Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës.
LDK-në në punë, s’ka asgjë që e ndalë.
Në 9 komunat tona kemi qeverisur mirë. Në 9 komunat tona kemi qeverisur mbarë. Në 9 komunat tona kemi qeverisur djathtë! Dhe më 12 tetor, këtë model duam ta përhapim në gjithë Kosovën. Të kthejmë çdo komunë në model të qeverisjes sonë!
Aty ku ka ngecje të japim zhvillim.
Aty ka fjalë të japim punë.
Aty ku ka propagandë të japim të ardhme.
Nga Anamorava deri në Llap, nga Ana e Drinit deri në Shalë, rikthimi i LDK-së në komuna që kanë nevojë për zhvillim, është mision patriotik e mision kombëtar.
Dhe do ta përmbushim këtë mision tani.
Koha është në anën tonë. Populli i Kosovës është ngopur me fjalë e urrejtje të thatë; le të kthehemi në gjenezë!
Sepse Lidhja Demokratike nuk është vetëm një parti. Është një ndjenjë, është një kujtim i gjallë i sakrificës, është një besë e dhënë mes njerëzve.
Është dora e zgjatur e mikut në kohë vështirësie.
LDK është shpresa e prindërve tanë që duruan në kohët më të vështira të vendit tonë. LDK është shpresa e fëmijëve tanë që ëndërruan të kenë një shtet të tyrin si çdo fëmijë tjetër në Evropë. LDK është shpresa e gjeneratave të ardhme që do të vijnë pas nesh e që do të krenohen me historikun e kësaj Lidhje që tejkalon çdo kohë. Në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo rrugë e në çdo lagje, në çdo zemër shqiptari – LDK është dashni.
Sepse Lidhja Demokratike është gjurmë e lirisë. Është frymëmarrja e parë e shtetit tonë të ri. Është gur themeli mbi të cilin u ngrit Republika jonë. Ajo është zëri i qetë që guxoi në kohën kur askush nuk guxonte, është fjala e urtë që na mësoi se politika nuk është sharje, nuk është ndarje, por është bashkim.
Ne jemi LDK, sepse ne dimë të bashkojmë. Dimë të ndajmë dhimbjen, dimë të ndajmë edhe gëzimin. Dimë të ndërtojmë ura mbi lumin e përçarjes, dimë të ngremë shtëpi mbi themelet e shpresës. Mbi të gjitha, ne dimë të punojmë.
Ne krijojmë. Jo duke rrënuar shtetin, por duke e bërë atë. Jo duke e përulur tjetrin, por duke e afruar atë. Jo duke e zaptuar komunën, por duke e dashur atë.
E kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës, pas çdo stuhie, kthehen prapë tek ne. Sepse vetëm tek ne gjejnë strehën e sigurt, strehën e arsyes, strehën e shtetit.
Tek ne gjejnë njerëzit që bëjnë shtetin, jo që e shkatërrojnë atë. Tek ne gjejnë njerëzit që e duan Kushtetutën, jo që e shkelin atë. Tek ne gjejnë njerëz që bëjnë aleanca jashtë, jo që i mbyllin dyert me ta. Tek ne gjejnë njerëz që e duan Kosovën më shumë se sa veten, sepse një Kosovë kemi, këtë shtet kemi, këtë vend kemi.
Kjo është trashëgimia jonë, prandaj është dhe detyra jonë. Detyrë të ruajmë dinjitetin në politikë, të ruajmë fjalën e dhënë, të ruajmë shpresën e ndezur.
Detyrë të tregojmë se ky vend nuk është lodhur nga ëndrra e tij. Se ky vend meriton më shumë se sa ngecjen e përditshme; meriton të ardhme, meriton zhvillim, meriton shpresë.
Nuk duam të jemi të fundit.
Nuk duam të jemi të vetëm.
Duam dhe do të kemi shtetin, komunën, fshatin e qytetin, si vend me të cilin mburremi si popull fisnik, qytetarë të lirë, të Republikës sonë të mirë.
Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.
Ne nuk jemi si ta.
Ne nuk duam të jemi si ta.
Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës, shpresa e parë dhe e fundit e Republikës së Kosovës.
Aty ku ata bllokojnë, ne ndërtojmë.
Aty ku ata ndajnë, ne bashkojmë.
Aty ku ata shkatërrojnë, ne krijojmë.
Aty ku ata jetojnë nga sharja, ne jetojmë nga shpresa.
Aty ku ushqehen me frikë, ne ushqehemi me besim.
Aty ku ata na humbin vitet, ne fitojmë të ardhmen.
Ata janë të përkohshëm, ne jemi të përhershëm.
LDK-ja dhe Republika e Kosovës janë të përhershëm.
Kjo stuhi do të kapërcejë.
Dritë, dritë në këtë Republikë do të ketë!
Dhe kjo dritë po vjen.​
Më 12 tetor, populli i Kosovës do të ketë në dorë jo vetëm një fletë votimi – por fatin e Republikës. Do të ketë në dorë zgjedhjen mes krizës dhe zhvillimit, mes fjalës boshe dhe punës konkrete, mes ngecjes dhe së ardhmes.
Më 12 tetor duhet t’i japim përgjigje krizës së tanishme!
Prandaj 12 tetori, nuk është vetëm një garë për disa komuna. Është një garë për drejtimin që merr Kosova. Është një garë për të shpëtuar shpresën, për ta ringritur besimin, për ta kthyer politikën aty ku duhet të jetë – në shërbim të qytetarit.
Dhe unë ju them sot, nga kjo sallë, nga ky kryeqytet i Republikës: ky vend nuk do të mbetet peng i aventurave politike. Ky vend do të ecë përpara. Sepse Kosova ka Lidhjen Demokratike. Sepse Kosova ka njerëzit e saj të bashkuar. Sepse Kosova ka shpresën që nuk shuhet kurrë.
Le të fitojmë! Le të ngjallim shpresën në Kosovë!
Le tu japim qytetarëve tanë, LDK-në dhe të ardhmen e kërkuar kaherë!
Le të ngritemi si një, ne, populli, komunat e Kosova le të bëhemi një!
Përtej të zakonshmes.
Përtej vetes.
LDK, ka kandidatët më profesionist të mundshëm, burra e gra të ndershëm, që para vetes dhe me vete mbajnë idealin e pashterrshëm për të bërë këtë vend të mbarë e të mirë.
Të gjithë këta kandidatë kanë një shtëpi, Lidhjen Demokratike. Dhe kanë tre numra që na kushtrojnë si thirrje e fitores së madhe të vjeshtës që s’ka për tu harruar.
113 është numri ynë.
Këta janë kandidatët tonë!
LDK është shtëpia jonë. Republika e Kosovës është vet ëndrra jonë.
Ariana, Valmiri, Gazmendi, Bajrushi, Betimi, Shaipi, Burimi, Kastrioti, Fatmiri, Arbeni, Jetoni, Xhaferi, Gezimi, Shefqeti, Dritoni, Visari, Ardiani, Arberi, Ekremi, Ruzhdiu, Bexheti, Besniku, Xhafa, Sokoli, Iliri, Imriu, Gazi e Përparimi – janë kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këta janë njerëzit tuaj.
Këta janë zërat e shpresës së Kosovës.
Me ta, më 12 tetor, Kosova do të zgjedhë punën mbi fjalën.​ Me ta, Kosova do të zgjedhë shpresën mbi frikën.​ Me ta, Kosova do të zgjedhë të ardhmen para mashtrimit.
Sepse kjo është ora jonë. Ora e Lidhjes Demokratike. Ora e qytetarëve që duan Kosovën. Ora e fitores.
Prandaj sonte, nga kjo sallë, nga ky kryeqytet, nga kjo Kosovë e të gjithëve – le të ngrihemi së bashku, le të ecim së bashku, le ta fitojmë së bashku.
Për të ardhmen e fëmijëve tanë!
Për të ardhmen e familjeve tona!
Për dinjitetin e qytetarëve tanë!
Për Republikën tonë!
Më 12 tetor, LDK fiton.
Më 12 tetor, Kosova fiton.
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kaluan shtatë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 9…