
Fjalimi i parë i Papës së ri: Zoti na do të gjithëve pa kushte
Kreu i ri i Vatikanit Papa Leo XIV, në fjalimin e parë pas zgjedhjes, nga ballkoni kryesor i bazilikës së Shën Pjetrit, përçoi mesazhin e paqes dhe unitetit, duke thënë se “Zoti na do të gjithëve, pa kushte”.
Duke iu drejtuar besimtarëve në gjuhën italiane, 69-vjeçari i lindur në Çikago, falënderoi kardinalët që e zgjodhën në konklavën dyditore.
“Paqja qoftë me ju të gjithë. Vëllezër dhe motra, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur. Dëshiroj t’ju dërgoj një përshëndetje paqeje që arrin familjet tuaja, për të gjithë ju, kudo që jeni paqja”, tha ai duke falënderuar paraardhësin e tij, Papa Françeskun dhe shprehu dëshirën që, si ai, të bekojë besimtarët në sheshin e Shën Pjetrit.
“Njerëzimi ka nevojë për Krishtin si një urë përmes së cilës mund të arrijë Zotin dhe dashurinë e tij. Na ndihmoni dhe le të ndihmojmë njëri-tjetrin, të ndërtojmë ura”, tha Papa i ri.
Më pas ai falënderoi në gjuhën spanjolle dioqezën e tij të mëparshme në Peru “ku besimtarët ndanë besimin e tyre dhe dhanë shumë”.
Në pjesën e fundit të fjalimit, Papa ftoi besimtarët për lutje dhe më pas ai lexoi një fragment nga teksti i shenjtë në gjuhën latine për nder të shenjtorëve dhe Virgjëreshës Mari.