
Fjalimi i Rizah Xhaklit në mbledhjen komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të bacit Ekrem Jashari
Të dashur familjarë, miq dhe bashkëveprimtarë të bacit Ekrem,
Sot fjalët më dalin me vështirësi, sepse dhimbja më ka zënë në fyt. Nuk është e lehtë të flas për bacin Ekrem – për mikun, njeriun e përkushtuar, të cilin sot nuk e kemi më mes nesh. Për ne, ai nuk ishte vetëm Ekrem Jashari. Ai ishte baci i pathyeshëm, njeriu që u printe rrugëve të lirisë me zemër të madhe e me shpirt të ndritur.
Ekrem Jashari lindi më 14 shkurt 1951 në fshatin Gadish – një fshat kodrinoro-malor në malet e Zhegovcit, që i përket Komunës së Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Kishnapolë,ndërsa të mesmen e nisi në Normalen e Gjilanit. Por, sapo nisi rrugëtimin e dijes, filloi edhe rrugën e përndjekjes.
Në vitin 1968, pas pjesëmarrjes në demonstrata në Gjilan, u zbulua dhe u përjashtua nga shkolla. Pastaj u regjistrua në Normalen e Ferizajt, ku pas pesë viteve përfundoi atë.Pa humbur kohë, filloi punën si mësues dhe vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë.
Misionin e mësuesit e përmbushi me përkushtim në shumë fshatra – nga Kishnapola, Gadishi, Radivojci, Devaja e deri në Komogllavë. Por nuk ishte vetëm mësues i dijes – ishte mësues i atdhedashurisë. Në vitin 1993,iu burgosën shokët dhe u detyrua të largohet nga Kosova dhe nga arsimi për shkak të veprimtarisë së tij ilegale.
Që baci Ekrem ishte i brumosur me ndjenja kombëtare, nuk ka aspak dyshim. Dy vëllezërit e gjyshit të tij, Azizi dhe Islami, kishin qenë luftëtarë kundër Perandorisë Osmane. Të dy u kapën nga pushtuesit osmanë; Azizi u ekzekutua menjëherë, ndërsa Islami u vra më vonë në një burg të Greqisë.Stërgjyshi i tij, Shabani, u masakrua në vitin 1912, në ngjarjen e njohur si “Masakra e Gjilanit”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe gjyshi Hajrizi dhe babai Islami, morën pjesë aktive në përpjekjet për çlirimin e vendit. Ata ishin pjesëmarrës në “Betejën e Kikës”, e zhvilluar në korrik të vitit 1944.
Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, në një kohë kur regjimi komunist ndiqte atdhetarët që kërkonin një shtet të bashkuar shqiptar, malet e kësaj ane u mbushën me patriotë të kërkuar. Njëri nga ta ishte edhe Raif Cërnica, biri i tribunit Ramiz Cërnica. Për muaj të tërë, familja Jashari i dha strehë këtij çlirimtari.
E gjithë kjo gjenealogji e lavdishme familjare ishte trashëgimia shpirtërore që baci e kishte dëgjuar dhe përvetësuar qysh i vogël nga gjyshi dhe gjyshja e tij.
Prandaj, i gjithë aktiviteti i tij – nga demonstratat e vitit 1968 e deri te organizimi ilegal politik dhe veprimtaria guerile – nuk ishin të rastësishme. Ishin vazhdimësi e natyrshme e trashëgimisë dhe gjakut të tij, në të cilin rridhnin sakrifica dhe përkushtimi për atdhe.
Aktivitetin ilegal në mes viteve të ’70-ta e kishte me Rexhep Malën, bile një herë Rexhep Mala tok me Shefket Hoxhën me ditë të tëra kanë qëndruar në Gadish duke seleksionuar,shpërndarë,por edhe fshehur literaturë ilegale të kohës.
Baci, ishte pjesëmarrës edhe gjatë demonstratave të vitit 1981, në Ferizaj. Gjatë kësaj periudhe ishte mësues në fshatin Radivojc, komuna e Vitisë, dhe vetëm disa ditë pas demonstratave të 3 prillit 1981, ai bashkë me bashkëfamiljarin e tij, Zylfi Ajeti, shkruajnë parulla Kosova Republikë në fshatrat e komunës së Vitisë.
I tërë aktiviteti i tij ndikoi edhe te familjarët e tij dhe kur erdhi koha që të ngjeshnin armët,kushtrimit për liri iu përgjigjën vëllai Shefqeti dhe djali i axhës Veziri, tash Dëshmor i Kombit.
Për këtë veprimtari, u përndoq dhe u paraburgos disa herë. Edhe pse paraburgimet ishin të shkurtra, ishin të rënda e të dhimbshme. Në mungesë, e dënuan me 15 vjet burg. Por ai nuk u ligështua. Shiti shtëpinë e tij – shtëpinë ku rriteshin nëntë fëmijë edhe atë në dhjetor të vitit 1997 dhe çdo qindarkë e derdhi në fondin “Vendlindja Thërret”. E bëri këtë jo nga mllefi, por nga dashuria për kombin. Sepse besonte se liria fitohet me flijim, jo me fjalë.
Baci Ekrem nuk e kishte synim vetëm çlirimin e Kosovës. Synimi i tij ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare – një flamur, një gjuhë, një atdhe. “Nuk ka zgjidhje tjetër,” thoshte, “derisa të bashkohen trojet tona etnike.”
Ai ishte njeri i idealeve të mëdha, i çeliktë në qëndrim dhe i butë në shpirt. Njëherazi krenar dhe thellësisht modest.
Dritëro Agolli, miku i tij, i thoshte: “Ti je si feniksi – edhe kur digjesh, ringjallesh nga hiri yt. Ti je si rrapi plak – sepse rrapi i hedh gjethet i fundit, dhe ti, bacë, e ke të vështirë të ndahesh nga shokët dhe miqtë e idealit.”
Sot nuk po i japim lamtumirën vetëm një njeriu, por një epoke. Një fryme. Një zemre që rrahu vetëm për kombin. Flamuri do të valojë mbi gjurmët e tua, o bacë, dhe emri yt do të jetojë në çdo përpjekje për bashkimin kombëtar.
Lavdi jetës dhe veprës së bacit Ekrem dhe i lehtë qoftë dheu Arbëror mbi trupin tënd.