Fjalimi i Trumpit do të mbahet mend në historinë e ShBA-së për një arsye – nata kur u thye rekordi i Clintonit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbajtur të martën në mbrëmje, sipas kohës amerikane, një fjalim për “Gjendjen e Kombit” dhe ka rezultuar se ai ishte njëkohësisht edhe fjalimi më i gjatë në historinë e ShBA-së.
Fjalimi i Trumpit të martën ka zgjatur rreth 1 orë e 48 minuta, duke e bërë atë fjalimin më të gjatë para Kongresit në të paktën 60 vitet e fundit.
Me këtë ai ka theyer rekordin që e kishte vendosur vetë vitin e kaluar, kur kishte folur për 1 orë e 39 minuta në atë që teknikisht nuk ishte fjalim për gjendjen e kombit. Para kësaj, rekordin e mbante ish-presidenti Bill Clinton për fjalimin e tij mbi “Gjendjen e Kombit” në vitin 2000, i cili zgjati 1 orë e 28 minuta.
Fjalimi më i shkurtër në 60 vitet e fundit ishte ai i ish-presidentit, Richard Nixon për “Gjendjen e Kombit” në vitin 1972, i cili kishte zgjatur vetëm 28 minuta.
Kohëzgjatja e fjalimit përfshinte pauza të gjata për duartrokitje, ndërprerje, përshëndetje të të ftuarve dhe brohoritje për përfaqësuesen amerikane të hokejit në akull për meshkuj, fituese e medaljes së artë olimpike.
Fjalimi për “Gjendjen e Kombit” i jep presidentit mundësinë të vendosë ose të riorganizojë agjendën kombëtare, ndërsa ai i Trumpit vjen në një moment kur shumica e amerikanëve thonë se vendi është në gjendje më të keqe sesa ishte një vit më parë, sipas sondazhit më të fundit nga NPR/PBS News/Marist College.
Fjalimi televiziv para Kongresit në orarin kryesor, i dyti i tij brenda 13 muajve nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, i ka ofruar Trumpit mundësinë të bindë votuesit që të mbajnë kolegët e tij republikanë në pushtet.
Sondazhi i Reuters/Ipsos tregoi se gjashtë nga dhjetë amerikanë, përfshirë 30 për qind të republikanëve, mendojnë se Trumpi është bërë i paparashikueshëm me kalimin e moshës. Vetëm 40 për qind e të anketuarve e miratojnë performancën e tij në detyrë, krahasuar me 58 për qind që nuk e miratojnë.




