“Flakëroshi” i Ymer Elshanit u përurua në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”

24 qershor 2025 | 23:02

Krijues brilant i letërsisë për fëmijë, Ymer Elshani, bashkë me katër djemtë, gruan, nënën dhe kunatën, 26 vjet më parë përjetuan golgotën biblike duke u vrarë nga forcat serbe.

Elshani la trashëgimi të pasur të letërsisë për fëmijë, një pjesë të të cilave në dorëshkrim të cilat u botuan nga e bija Teuta Elshani. Njëra nga këto vepra është tregimi “Flakëroshi” edituar ditë më parë nga Shtëpia Botuese Armagedoni e cila mblodhi në mjediset e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, dashamirës të fjalës së shkruar, krijues, familjarë e miq të Ymer Elshani.

“Flakëroshi” tashmë i botuar si libër i ilustruar për fëmijë, ishte takim përplot frymëzim dhe respekt për veprën letrare, sidomos nga fëmijët. Promovimi ishte konceptuar në trajtë të impresioneve, të cilat lanë përshtypje interesante tek të pranishmit që e kishin mbushur sallën e madhe të bibliotekës. Fëmijë e “Klubit të leximit” që vepron në kuadër të bibliotekës, kësaj here morën rolin e kritikut letrar, duke ndarë mendime për aspektet më mbresëlënëse dhe ndikimin emocional duke sjellur përshtypje autentike e të sinqerta dhe mendime të pjekura mbi librin.

Studiuesi i letërsisë për fëmijë Xhevat Syla, duke ndriçuar vlerat e tregimit dhe kontributin e autorit theksoi se Ymer Elshani është njëri nga shkrimtarët tanë më të mirë për fëmijë, i cili shquhet për rrëfime të bukura dhe interesante. “Këtë e dëshmojnë shumë librat tij me poezi. por edhe me tregime e veçmas romanet për fëmijë”

Pjesë e panelit ishin edhe studiueset e reja Blinera Hajdari dhe Blerta Salihu. Blinera Hajdari foli për stilin e shkrimit të autorit Ymer Elshani, “Me stilin e tij të veçantë, gjuhë të thjeshtë dhe poetike, figura dhe gjetje origjinale, i dha letërsisë shqipe për fëmijë një pasuri të çmuar si ‘Flakëroshi’”.

Ndërsa Blerta Salihu u shpreh për librin se është më shumë se një tregim, është formë e edukimit të heshtur, që mbjell farën e kuptimit në zemrat e vogla. “Ky libër është një ftesë për të mos ndalur së ëndërruari. Përveç vlerave letrare, ai dëshmon se Ymer Elshani mbetet një nga autorët më të përkushtuar të letërsisë për fëmijë”.

Ngjarjen e bëri edhe më të veçantë prania e vajzës së autorit Teuta Elshani, e cila ka mbështetur botimin e këtij libri të ilustruar për fëmijë “Jam thellësisht mirënjohëse për bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’, dhe përkushtimin e stafit, të cilët po e vazhdojnë këtë rrugëtim edhe me brezat e rinj, me nxënës e me studentë. Si vajzë e autorit, ndjehem e lumtur kur shoh aktivitete që ngjallin interes te lexuesi. Për mua, ky është misioni i jetës”.

Kjo ngjarje u moderua nga Lorenta Ibraj, ndërkaq Teuta Elshani u dhuroi të pranishmëve dhe bibliotekës një numër të konsiderueshëm të librave. Promovimi i sotëm ishte takim frymëzues, ku fjalët, kujtimet dhe dashuria për librin u bashkua në një ditë e mbushur me letërsi, fëmijëri dhe frymëzim!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Naser Krasniqi, i burgosur politik gjatë periudhës së vitit 1987,…