Flamur Fetahaj kandidat për kryetar të AAK-së në Gjakovë

07 prill 2026 | 12:07

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake, i cili tashmë ka hyrë në fazën finale. Në kuadër të këtij procesi pritet të zgjidhen kryetarët e nëndegëve, degëve, si dhe kryetari i partisë në nivel qendror. Kryetari aktual i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se nuk do të garojë më për drejtimin e partisë, duke hapur kështu rrugë për kandidatë të rinj në garë për udhëheqjen e saj. I pari që ka shpallur kandidaturën për kryetar të AAK-së është kryetari aktual i Komunës së Gjakovës dhe njëherësh kryetar i degës së AAK-së në këtë komunë, Ardian Gjini.

Në këtë kontekst, nënkryetari i degës së AAK-së në Gjakovë dhe njëherësh nënkryetar i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj, ka paralajmëruar kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e degës së partisë në këtë qytet. Ai e ka bërë këtë të ditur përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook më 30 mars 2026. Në njoftimin e tij, Fetahaj ka falënderuar strukturat drejtuese dhe anëtarësinë e AAK-së në Gjakovë për përkushtimin ndër vite, duke veçuar kontributin e kryetarit aktual Ardian Gjini, si dhe të të gjitha forumeve dhe aktivistëve të partisë.

Ai ka theksuar se kandidatura e tij vjen në një moment të rëndësishëm për degën dhe për qytetin, duke u zotuar për një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje me statutin e partisë. Fetahaj gjithashtu është shprehur i përkushtuar për ndërtimin e një dege të hapur dhe konkurruese, ku avancimi do të bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, duke krijuar hapësirë më të madhe për profesionistët, gratë dhe të rinjtë. Në fund, ai ka shprehur bindjen se AAK do të vazhdojë traditën e fitoreve në Gjakovë, duke kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jackie Chan festoi ditëlindjen e tij të 72- të dhe…