
Flet anëtari i shkarkuar i Këshillit Drejtues të UP-së, thotë se shkarkimi i tij ishte politik
Zëvendëskryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fadil Osmani, i cili u shkarkua sot nga pozita e Këshillit Drejtues të UP-së nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se ende nuk i di arsyet e shkarkimit të tij.
“Unë ende nuk i di arsyet e shkarkimit. Nuk kemi marrë asnjë vërejtje apo njoftim paraprak, pos asaj që jemi njoftuar nga mediet. Sa i përket vendimit të ministres, unë s’dua ta komentoj, pasi akoma s’kam pranuar asnjë dokument zyrtar deri më tani. Pra, nuk kemi pasur një paralajmërim paraprak për një vendim të tillë”, është shprehur Osmani për gazetën “Epoka e re”.
Sipas Osmanit, shkarkimin e tij e ka vlerësuar si ndërhyrje politike. “Mendoj që është një ndërhyrje drejtpërdrejtë në punën e KD të UP-së, duke marrë për bazë se ne kemi qenë në proces zgjedhor, prandaj një ndërhyrje në procesin zgjedhor mund të cilësohet e qëllimshme, qoftë për interesa individuale qoftë për interesa të tjera”, ka thënë ai.
Osmani ka shtuar se nuk ka pasur asnjë vërejtje në punën e tij. “Ne deri më tani i kemi dorëzuar në MAShTI edhe planin strategjik, planin e veprimit dhe raportin vjetor. Krejt këto sipas obligimit ligjor. Nuk kemi pasur ndonjë vërejtje rreth punës tonë, sepse çdo punë e kemi bërë në përpikëri dhe brenda kompetencave tona si Këshill Drejtues”, ka deklaruar Osmani.
(A. MAVRAJ / Epoka e re)