Flet i biri tjetër i viktimës, thotë se vëllai që e vrau babanë e tyre ishte i sëmurë psikik

26 dhjetor 2020 | 07:26

Agan Halili, djali i babait të vrarë sot në Prizren, ka folur për ngjarjen tragjike që i ndodhi në familjen e tij.

Ai po thotë se i vëllai i tij ka probleme psikike që 10 vjet dhe si pasojë ndodhi edhe vrasja e babait.

Prandaj, Halili në një postim në “Facebook” po thotë se padrejtësisht po hidhet faji në familjen e tij dhe ka sqaruar ngjarjen.

“Ndjej detyrim moral të hedh dritë e te ju sqaroj drejtësisht mbi ndodhinë që preku familjen tonë. Familjes sime, babait tim të ndjerë, një njeri që e njihte një Prizren i tërë me rrethinë për zemërgjerësinë, urtësinë e tij, padrejtësisht po i hidhet faji për „pakujdesi“ e “çthurje“ në familje. Fillimisht nuk ka qenë zënkë në familje, e të ju vijë turp atyre që e nxorën lajmin të tillë”.

Agani ka hedhur akuza edhe ndaj institucioneve, përfshirë edhe policinë, se nuk iu dolën në krah si familje për ta trajtuar vëllanë e sëmurë.

“Ai që kreu krimin, vëllai im, është i sëmurë psikik, ka çrregullime personaliteti, skizofreni dhe depresion. Ne ka 10 vite që e vuajmë këtë çrregullim të tijin. Vëllai ka qenë në trajtim disa herë në Prishtinë, është mjekuar e më pas është liruar pa protokoll të qartë nga spitali, pa udhëzues të qartë se si duhet të shkojë trajtimi ne vijim. Vëllai ka qenë i dhunshëm edhe jemi detyruar disa herë të çonim sërish në psikiatri në Prishtinë, e shumë herë të tjera kemi kërkuar ndihmën e policisë. Ne e kishim vëllanë tonë, në rrugë nuk e linim dot, por edhe zgjidhje për këtë gjendje jashtëzakonisht të vështirë nuk morëm kurrë nga shteti”.

“I ndjeri babi im, e ka vuajtur edhe me shume sepse ai është përfshirë edhe me shume në sëmundjen e vëllait, e ka çuar ai vetë në spital e polici, i ka dhënë ai ilaçet me forcë, e ka nxjerrë ai më shpesh se të gjithë për kafe që ta kthente në normalitet. Duke pare gjendjen e renduar te vëllait ne kemi lajmëruar policinë e Prizrenit para 3 ditësh para se te ndodhte ky krim, ata kanë ardhur e kane qortuar me fjalë si mund të qortosh një 2 vjeçar edhe kanë ikur. Përgjegjësia për këtë përfundim tragjik i takon vetëm institucioneve të Kosovës që janë përgjegjëse për të tilla probleme”. Klankosova.tv ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Prizrenit për të konfirmuar nëse familja ka kërkuar ndihmë prej tyre, por ende s’ka marrë përgjigje.

Gjatë ditës, zëdhënësi i policisë për Prizren, Shaban Osmanollaj, e ka konfirmuar rastin duke thënë se ka ndodhur dhunë në familje.

“Sot me datë 25 dhjetor 2020 rreth orës 13:55, një qytetar e ka njoftuar stacionin policor Prizren-Veri se në lagjen Dardani, Rruga “Nazim Kokollari” është duke ndodhur një rast dhune në familje, ku djali është duke i sulmuar prindërit. Patrulla policore ka arritur në vendngjarje dhe kanë arrestuar personin e dyshuar M. H rreth 30 vjeçar i cili e ka sulmuar prindin e tij me thikë. Si pasojë e plagëve të marra viktima (prindi) përkatësisht babai rreth 50 vjeçar ka ndërruar jetë. Emergjenca, njësitë policore dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Osmanollaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, Trejsi Sejdini ka realizuar…