Flet pronari i fabrikës së stiroporit që u përfshi nga zjarri, tregon sa është vlera e dëmit të shkaktuar

02 janar 2023 | 16:28

Viti 2023 jo për të gjithë ka nisur mbarë, të paktën jo për pronarin e fabrikës së stiroporit në Ferizaj “Al Por”, Ilir Abazin. Në orët e mesnatës së 1 janarit, fabrika e tij e cila ndodhet në Fshatin e Vjetër është përfshirë nga zjarri. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar, por, dëmi material po pretendohet të jetë i lartë.

Detaje për rastin ka dhënë pronari Ilir Abazi. Ai konfirmoi se janë duke e pritë përgjigjën e ekspertit të zjarreve për të kuptuar arsyet e incidentit.

Abazi tregoi se sa punëtorë i kishte punësuar në këtë pikë dhe planet që kishte tutje.

“Jo ende nuk dimë asgjë. Jemi duke e prit përgjigjën e ekspertit zjarrit me pa saktë ku është problemi. Ne kemi startu qe 6 muaj në pikën e re. Për momentin jemi katër persona që punojmë këtë pikë teksa planifikoja që deri në pranverë t’i marrë 7 punëtorë të tjerë, mirëpo tash spo e di”, ka deklaruar ai për Insajderin.

I pyetur lidhur me vlerën e dëmit, ai ka mohuar të dhënat e publikuara nga Policia e Kosovës se dëmi sillet rreth 40 mijë euro, Abazi pretendon se është më i lartë.

40 mijë sipas tij mund të ketë kushtuar vetëm një maqinë.

“Jo nuk është e vërtetë qe 40 mijë euro. Vlera është shumë më e lartë, mbi 350 mijë euro vetëm investim janë, tash janë dëmtu duhet me këqyre saktë, 40 mijë mundet me kanë veç për njërën maqinë është e mundur që kanë bërë gabim policia në raport”, ka thënë ai për Insajderin.

Abazi majde ka deklaruar se ende nuk e ka dhënë deklaratën e tij në Polici të Kosovës. 

“Unë ende nuk e kam dhënë deklaratën, pritet këto ditë, saktë se di kur”, u shpreh pronari i “Al Por.

Policia për djegien e fabrikës së stiroporit në Ferizaj: Vlera e dëmit sillet rreth 40 mijë euro

Detaje për rastin ka dhënë policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

Sipas policisë vlera e dëmit sillet rreth 40 mijë euro.

“Fshati i Vjetër , Ferizaj (EM: 163-903) 01.01.2023 – 00:34. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se në rrethana të panjohura nga zjarri i është përfshirë fabrika e stiroporit ,, Al Por’’. Njësit përkatëse dhe zjarrfikësit kanë dalur në vendi e ngjarjes dhe kanë shuar zjarrin. Vlera e demit sillet rreth 40000€, nuk raportohet për lëndime në njerëz”, thuhet në njoftim të policisë.

“Al Por” figuron e regjistruar qysh nga viti 2020, si veprimtari primare ka prodhimin e plastikës ndërsa sekondare prodhimin e fibrave të qelqit.

*Fotografia ilustrim

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një intervistë për medium gjerman “Deutsche Welle”, ish- komandanti…