FMN: Kosova pritet të ketë rritje ekonomike prej 2.8%

24 prill 2022 | 11:37

Fondi Monetar Ndërkombëtar në një projeksion për bruto-produktin vendor për vitin 2022, pret që Kosova të ketë rritjen më të ulët ekonomike për Kosovën në 10 vitet e fundit. Sipas raportit të muajit prill të FMN-së, Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike prej 2.8 %.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se paralajmërimet e FMN-së, duhet të shihen me seriozitet nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Fondi Monetar Ndërkombëtarë, në raportin “Pikëpamja Ekonomike Botërore”, të publikuar në muajin prill, thekson për pritshmëri të ulët të rritjes ekonomike për vitin 2022, prej 2.8 për qind,  duke e zvogëluar për 1.7 për qind parashikimin e bërë në tetor. Nga projeksioni i mëhershëm në muajin tetor të vitit 2021, parashihej që rritja të ishte 4.5 për qind.

Duke folur për Radio Kosovën, ekspertët e ekonomisë, thonë se këto paralajmërime duhet të merren seriozisht nga ana e institucioneve financiare dhe Qeverisë së Kosovës. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, vlerëson se qeveria duhet të shtyjë përpara veprimet dhe shpenzimin e mjeteve, në sektor ku efektet janë më të mëdha.

“FMN ka paraparë se ky do të jetë niveli më i ulët i rritjes në dhjetë vitet e fundit, megjithatë deri tani nuk kemi parë që kjo ka reflektuar në ndonjë konsideratë më seriozisht nga ana e përfaqësuesve të shtetit. Ajo çfarë shohim është se vazhdojnë vendimet, të cilat kanë efekte më afatshkurtra, që përfitojnë kategori të ndryshme sociale, por si të tilla kanë efekte po ashtu të kufizuara në ekonominë e vendit”, deklaroi Zeka.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se vlerësimet e FMN-së janë reale, bazuar në mundësitë ekonomike të Kosovës, që siç thotë profesor Limani, janë të kufizuara.

“Duke u bazuar në pamundësinë e investimeve të sektorit privat, përkufizimet e investimeve kapitale nga ana e mjeteve buxhetore të Kosovës, duke shtuar edhe një strukturë shumë të pavolitshme ekonomike dhe një situatë tani të çrregullimeve dhe barrierave ekonomike ndërkombëtare, edhe në Kosovë mendoj se vlerësimi i fundit është i drejtë dhe nuk besojë që do të ketë ndonjë normë më të madhe”, deklaroi Limani.

Përkundër kësaj, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ekonomia e vendit në vitin 2021 kishte rritje 10.35 për qind.

“Zhvillimi ekonomik deri më tani, është 10.53 për qind GDP-së, Vitin e fundit, vlera e eksporteve ka arritur 2.7 miliardë në rritje prej 80 për qind krahasuar me vitin 2020. Vlera e mallrave të eksportuara është rritur për 62 për qind”, deklaroi Kurti.

Për herë të fundit që FMN-ja kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, me 1.7 për qind.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dietologia, Olga Preston ka zbuluar ushqimet që mund t’i ndihmojnë…