FMN vlerëson masat e ndërmarra nga BQK-ja për tejkalimin e krizës nga pandemia

19 shkurt 2021 | 14:05

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka njohur angazhimin dhe qeverisjen efektive të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, sektori bankar ka arritur të përballojë mirë situatën e krijuar, si rezultat i masave të ndërmarra për përballimin e pandemisë.

“Bankat e kanë përballuar mirë recesionin deri më tani, duke u mbështetur në nivelet e larta të likuiditetit dhe të kapitalit të para pandemisë Covid-19, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. FMN gjithashtu, ka njohur edhe masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për ristrukturimin e kredive, ndërsa në dhjetor të vitit 2020, të gjitha bankave iu kërkua të zbatojnë kërkesat rregullatore që kanë qenë në fuqi para pandemisë Covid-19. Të dhënat paraprake sinjalizojnë një portofol të shëndetshëm të kredive, me mundësi për një rritje të lehtë të kredive joperformuese në muajt në vijim”, është thënë në njoftimin e BQK-së.

Më tutje theksohet se në fund të vitit 2020 asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej më shumë se 12 për qind.

“Niveli i kredive joperformuese ishte 2.63 për qind, raporti i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione ishte 143.27 për qind, përderisa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.7 për qind”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Po ashtu, në këtë njoftim është theksuar se reformat e zbatuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vitet e kaluara, të cilat u fokusuan në forcimin e sigurisë financiare dhe kornizës mbikëqyrëse bankare, ndihmuan në zbutjen e presioneve nga pandemia.

Sipas BQK-së, shumë nga reformat e zbatuara, janë dizajnuar me mbështetjen e FMN-së.

“BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë forcimin e kapaciteteve dhe sistemeve të saj, përfshirë edhe zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Rishikimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar. Së këndejmi, drejtorët ekzekutivë të FMN-së rekomanduan autoritetet që të monitorojnë nga afër cilësinë e aseteve bankare, të sigurojnë transparencë në pasqyrimin e humbjeve pasi të hiqet toleranca rregullatore dhe të forcojnë më tej kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, është thënë në njoftimin e BQK-së.

Për më shumë detaje mund t’i qaseni raportit të plotë në vegëzën:

https://www.imf.org/en/Publications/CR/Issues/2021/02/17/Republic-of-Kosovo-2020-Article-IV-Consultation-Press-Release-Staff-Report-and-Statement-by-50104

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka njoftuar se është…