Foda: Jetojmë për futbollin, synojmë ta realizojmë ëndrrën e Botërorit

01 shtator 2025 | 13:40

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, në ditën e parë të grumbullimit të shtatorit, ka mbajtur konferencën për media para dy ndeshjeve të para kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, që Dardanët do t’i zhvillojnë kundër Zvicrës më 5 shtator në Bazel dhe kundër Suedisë më 8 shtator në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Foda ka theksuar se shorti e ka vendosur Kosovën në një grup të vështirë, por sipas tij, ekipi ynë ka cilësitë dhe potencialin për të synuar befasi.

“Jemi në një grup shumë të vështirë. Zvicra dhe Suedia janë ekipe me shumë cilësi. Edhe Sllovenia, e cila u kualifikua herën e fundit në Evropian, ka një ekip shumë të mirë. Por, pavarësisht të gjithave, gjithçka është e mundur. Edhe ne kemi cilësitë dhe mundësitë tona. Vendi i parë kualifikohet direkt, ndërsa ekziston edhe mundësia që përmes ‘play-off’-it të luftojmë për vendin e dytë. Ne luajmë futboll dhe jetojmë për futbollin. Ëndrrat bëhen realitet vetëm kur beson vërtet dhe je i bindur se mund të arrish. Këtë mesazh do t’ua përcjell edhe lojtarëve gjatë javës. E dimë që nuk është grup i lehtë dhe se jemi autsajder, por edhe një autsajder mund të jetë shumë i rrezikshëm. Ne do të japim gjithçka për vendin tonë, për Kosovën, që për herë të parë të kualifikohemi në Kupën e Botës”, tha Foda.

Ai shtoi se atmosfera brenda grupit është pozitive. “Do të hyjmë në këtë sfidë me mendësi pozitive dhe do të shohim se ku do të na çojë ky rrugëtim. Po punojmë ngushtë me lojtarët dhe ata tashmë po tregojnë drejtimin që duhet të ndjekim. Për ekipin kemi përgatitur edhe një video motivuese, të cilën do t’ua tregojmë sot dhe para ndeshjes. Shpresoj që kjo t’i motivojë edhe më shumë, sepse qëllimi ynë është i qartë: për herë të parë të kualifikohemi në një kompeticion të madh”, theksoi Foda.

Për shkak të lëndimit Kosovës në këto dy ndeshje do t’i mungojë Florent Hadërgjonaj, i cili është zëvendësuar me Ron Raçin, derisa për shkak të obligimeve të tij me transferimin te Juventusi mungon edhe Edon Zhegrova.

Por Foda theksoi se ekipi është i gatshëm të përballet me çdo situatë.

“Edon Zhegrova është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ai ka qenë i lënduar për tetë muaj dhe nuk ka luajtur. Kam biseduar disa herë me të gjatë javës së fundit. Javën e kaluar ishte për herë të parë në bankinë dhe ne i dërguam ftesë, por mbrëmë më njoftoi se do të transferohet te Juventus, prandaj vendosëm që të mos bashkohet me ne këtë herë. Po ashtu, Emir Sahiti dhe Bersant Celina i dinë arsyet e mungesës së tyre. Do të bisedoj sërish me ta dhe pastaj do të flasim edhe publikisht për këtë. Jemi në kërkim të zgjedhjeve të reja dhe në të kaluarën kemi treguar se jemi të gatshëm të përballojmë çdo mungesë. Jemi shumë optimistë që edhe në këto dy ndeshje do t’ia dalim dhe do të arrijmë rezultat pozitiv”, nënvizoi Foda.

Përzgjedhësi është shprehur i lumtur për vendimin e Leon Avdullahut për të zgjedhur Kosovën. “Jemi të gëzuar dhe shumë të lumtur që Leon Avdullahu ka vendosur të luajë për Kosovën. Ai ka kaluar te Hoffenheimi nga Bazeli dhe është integruar shpejt në Bundesligë. Është lojtar fleksibil dhe mund të luajë në disa pozita”, shtoi Foda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se…