
Foda shprehet optimist para dy sfidave të Kosovës në tetor
Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur të hënën një konferencë për medie në prag të dy ndeshjeve të tetorit, kundër Sllovenisë këtë të premte dhe më pas ndaj Suedisë të hënën që vjen.
Foda është shprehur optimist për përballjet e këtij muaji, sidomos për atë ndaj sllovenëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Do të jenë dy ndeshje të vështira, jo të lehta, por meqenëse kemi fituar ndaj Suedisë, ekipi ka treguar se ka kapacitetet, pasion dhe vendosmëri. Skuadra e ka parë që mund të fitojë edhe kundër kundërshtarëve të tillë. Sllovenia shumë e fortë, shumë e fuqishme, ka përvojë të hatashme, mbrojtje dhe sulm mjaft të mirë”.
“Ne do të ushtrojmë sa më mirë dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e radhës. Në shtëpi kemi mundësi më të mëdha pasi luajmë përpara tifozëve tanë të zjarrtë dhe shpresojmë që të jemi të gatshëm të triumfojmë. Pas fitores ndaj Suedisë e kemi fituar vetëbesimin dhe ndaj Sllovenisë pres angazhim maksimal nga lojtarët”, ka thënë Foda.