
FOL: Kosova mbetet ende e cenueshme nga korrupsioni
Kosova mbetet ende e cenueshme nga korrupsioni, edhe pse prej më shumë se dy dekada ka marrë mbështetje të gjerë nga partnerët ndërkombëtarë për të forcuar sistemin e drejtësisë dhe për të rritur llogaridhënien publike.
Kështu është thënë në diskutimin e Lëvizjes FOL, ku është publikuar raporti “Trajtimi i lëndëve të korrupsionit në dekadën e fundit në Kosovë, ndikimi i ndryshimeve legjislative”.
Aty, mes tjerash analizohet periudha e dhjetë viteve të fundit, përkatësisht ndikimin e reformimit ligjor, investimet institucionale dhe programet e trajnimit në uljen e korrupsionit.
“Ky raport analizon periudhën e dhjetë viteve të fundit, përkatësisht nga viti 2015 deri në 2024, në dy blloqe kohore – 2015-2019 dhe 2020-2024, duke tentuar të identifikojë se sa kanë ndikuar reformimi ligjor, investimet institucionale dhe programet e trajnimit në uljen e korrupsionit, respektivisht a kanë pasur ose jo efekt pozitiv në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Në pesëvjeçarin e parë, kompetencat e paqarta mes PSRK-së dhe prokurorive themelore krijuan mbivendosje hetimesh, ndërsa gjykatat, pa një departament të dedikuar, mbyllnin më pak se 40 për qind të çështjeve në vit. Trajnimet ishin të shumta, por nuk sollën rritje të matshme të cilësisë së hetimeve”.
“Nga viti 2020 nis një qasje më e strukturuar: themelohet Departamenti Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, miratohet Kodi i ri Penal me dënime më të ashpra dhe, shumë me rëndësi, Gjykata Supreme miraton Udhëzuesin specifik për lëndët e korrupsionit që synon unifikimin e politikës ndëshkimore. PSRK-ja ruan efikasitet të lartë, veçanërisht më 2024, por prokuroritë e rregullta, sidomos ajo e Prishtinës, vazhdojnë të përballen me ngarkesë të madhe dhe variabilitet në rezultatet përfundimtare. Në anën gjyqësore, departamenti i ri ka hapur rrugë për trajtim më të fokusuar të rasteve komplekse, megjithëse raportimi statistikor 2022-2024 mbetet i paunifikuar dhe pengon një vlerësim të qartë të progresit real”, citohet të këtë thënë drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani.
Ndërsa konsulenti Albert Avdiu, ka thënë se ndërhyrjet ligjore pas vitit 2020 kanë krijuar infrastrukturë më të saktë, por rezultatet në praktikë ecin më ngadalë. Ai theksoi se mungesa e koordinimit dhe strukturat e fragmentuara ndikuan negativisht në efikasitetin e hetimeve dhe ndëshkimeve.
“Kur krahasojmë periudhën 2015-2019 me 2020-2024, del qartë se ndërhyrjet ligjore i kanë dhënë sistemit një infrastrukturë më të saktë, por rezultatet në terren ecin më ngadalë se dispozitat në letër. Në fazën e parë, ligjet e miratuara më 2013 u zbatuan pa mekanizma të specializuar dhe pa kufij të prerë kompetencash, prandaj prokuroritë themelore bartnin shumicën e kallëzimeve por arrinin një raport të kufizuar aktakuzash. Gjyqësori, ndërkohë, operonte me departamente të krimeve të rënda të shpërndara në të shtatë gjykatat themelore, pa një trupë ekskluzive për lëndët e PSRK-së dhe pa numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve me përvojë të caktuar. Kjo strukturë e fragmentuar dhe mungesa e standardeve të përbashkëta në ndëshkim kontribuan në stokun e lartë të çështjeve të pazgjidhura dhe në dënime të buta, kryesisht gjoba apo masa me kusht. Shoqëria kosovare nuk duket se është shumë e korruptuar, kjo është diçka të studiohet se ku po çalon. Edhe sistemi gjyqësor e përcjell sistemin prokurorial”, ka thënë Avdiu.
Në anën tjetër, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Burim Ademi, ka vlerësuar se ndryshimet e shpeshta ligjore po dëmtojnë koherencën e praktikës gjyqësore. Ai ka thënë se duhet më shumë konsistencë dhe hulumtim për ndërtim të qëndrueshëm institucional.
Më tutje, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka vënë në dukje mungesën e trajtimit të rasteve nga gjykatat, duke theksuar se moskryerja e detyrës kontribuon në përhapjen e korrupsionit.
Ai ka thënë se ligji i ri u ka dhënë më shumë fuqi, por zbatimi në praktikë mbetet sfidë.