Forcat amerikane kapin anijen e shtatë të sanksionuar të naftës, e lidhur me Venezuelën

21 janar 2026 | 08:31

Forcat ushtarake amerikane të martën hipën mbi të dhe e morën nën kontroll anijen e shtatë transportuese të naftës, e lidhur me Venezuelën, përderisa administrata e presidentit Donald Trump po i vazhdon përpjekjet për ta marrë nën kontroll naftën e shtetit të Amerikës së Jugut.

Komanda Jugore e ShBA-së tha në një postim në rrjete sociale se forcat amerikane e ndaluan anijen “Sagitta” “pa incident” dhe se ajo ishte duke operuar në kundërshtim me “karantinën e vendosur ndaj anijeve të sanksionuara në Karaibe” nga presidenti Trump, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Komanda ushtarake nuk tregoi nëse anija u mor nën kontroll nga Roja Bregdetare e ShBA-së, siç është vepruar në rastet e anijeve të tjera. Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve për më shumë hollësi.

Anija “Sagitta” është anije transportuese me flamur të Liberisë dhe në regjistrimin e saj thuhet se është në pronësi të një kompanie në Hong-Kong dhe menaxhohet prej saj. Anija për herë të fundit e kishte transmetuar vendndodhjen e saj para më shumë se dy muajve, kur ishte duke u larguar nga Deti Baltik, në pjesën veriore të Evropës.

Kjo anije ishte sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara me anë të një urdhri ekzekutiv që ndërlidhet me fillimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Në shkrimin e Komandës Jugore të ShBA-së, megjithatë, sinjalizohet se anija kishte marrë naftë nga Venezuela.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në përvjetorin e 20-të të ndarjes nga jeta të Ibrahim…