Foreign Policy: Ukraina mund ta gjejë përgjigjen te rasti i Kosovës
Në një përmbledhje të gjatë të opinioneve nga ekspertët e çështjeve ndërkombëtare, revista e famshme Foreign Policy argumenton se rasti i Kosovës dhe përmbylljes së konfliktit mund të shërbejë si precedent për arritjen e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Duke e cituar profesorin amerikan Edward Joseph, Foreign Policy tha se edhe Ukraina mund ta shtyjë çështjen e sovranitetit në pjesët lindore të pushtuara nga rusët, ashtu siç ndodhi me Rezolutën 1244 në Kosovë.
Ndërkohë, pjesët e Donbasit të cilat ende mbahen nga ukrainasit mund të zëvendësohen me trupa ndërkombëtare, njësoj siç ndodhi në Kosovë, por sigurisht në rrethana të ndryshme. Pika problematike për Ukrainën do të jetë fakti se rusët s’do të lëvizin nga pjesët e pushtuara.
Për më tepër, profesori Joseph argumentoi se përfshirja e Rusisë në Rezolutën 1244 për Kosovën mund të nënkuptojë se një kartë e tillë do të ishte e dëshirueshme për Vladimir Putin edhe në Ukrainë.
Por, rasti i Kosovës refuzohet të merret si shembull nga ukrainasit. Volodymyr Horbach nga një ‘think tank’ tha se Ukraina s’krahasohet dot me Kosovën, meqë në këtë të fundit problemi ishte etnik dhe s’kishte të bënte me pushtim nga një shtet tjetër, meqë Kosova në atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë.
Ulf Brunnbauer, drejtor i Institutit Leibniz, theksoi se dallimi mes një prezence të huaj në Ukrainë dhe në Kosovë qëndron te fakti se kosovarët i pranuan të huajt për një kohë, duke e ditur se në fund Kosova do të qeverisej vetë. Serbia e pranoi lëshimin e Kosovës, por Rusia s’është nën një trysni të tillë sa i përket Ukrainës, tha Brunnbauer.
Në përgjithësi, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësuan se ka elemente nga çështja e Kosovës që mund të përdoren edhe në negociatat për paqe në Ukrainë, mirëpo fakti se ushtria ruse s’do të zmbrapset nga territoret e kapura e bën situatën më të komplikuar.



