
Formohet grupi punues për themelimin e Fondit sovran të Kosovës
Komisioni ekzekutiv për propozimin dhe hartimin e parimeve themelore ka mbajtur të enjten mbledhjen e parë për themelimin e Fondit sovran të Republikës së Kosovës
Në këtë mbledhje është miratuar grupi punues i përbërë nga anëtarë: Arta Hoxha, Edison Jakurti, Emanuel Bajra dhe Tea Blakaj – Hoxha.
Kryetar i grupit punues është zgjedhur Besnik Pula, profesor në Universitetin “Virginia Tech” në ShBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare, i cili bëri një prezantim të shkurtër përpara komisionit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në këtë mbledhje po nis një nga reformat më të mëdha ekonomike të vendit tonë që nga pavarësia.
“Sot jemi këtu për të treguar se ka alternativë ndaj rrugës së ndjekur deri më tani. Një ndër to është, ajo që ne besojmë, shteti zhvillimor. Shteti i cili në ekonomi nuk është as regjisor e as spektator por bashkë-skenarist dhe aktor. Në funksion të konkretizimit të shtetit zhvillimor e kemi menduar, premtuar dhe tani do ta realizojmë njërin ndër institucionet e tij – Fondin sovran të Republikës së Kosovës”, ka thën` kryeministri Kurti.