
Fort më preke Alban me këtë shkrim! Vizita që ju e keni përshkruar duhet të ketë qenë ka fillimi i Nëntorit të vitit 1998
Më riktheve për të satën herë në ato kohë të rënda, të rënda veç me i mendu, e jo edhe me i përjetua.
Në fakt, kur babi juaj, e miku im Ahmeti që në atë vizitë ka pyetur kush është ky, ai në të vërtetë nuk të kishte njohur ty, sepse kur erdhi në dhomë u ndje keq. Ai tha, e prisha punën dhe i vura në dyshim të shtëpisë dhe kanë me menduar se në hetime mi kanë dëmtuar sytë dhe nuk jam duke shikuar. TI Alban ke qenë diku ka 13 vite, atëherë kur të rinjtë shpërthejnë në rritë përnjëherë dhe ke filluar të marrësh pamje burri. Ahmet pat thënë: E kam shikuar kalimthi shpejt e shpejt dhe kam menduar nëse është ndonjë djalë i ndonjë miku. Ai tha kishte lëshuar shtat, kishte ndryshuar shumë dhe kur e kuptova se ishte Albani tha u mundova me ja pështjell me ato fjalët që Ti i përshkruajte.
Vërtet Ai, Ahmeti nuk është kthyer fizikisht, por është kthyer me tërë shkëlqimin e lirisë që ai me shokë e kanë sjellë dhe për të cilën ka punuar e vepruar tërë jetën.
Unë e ndjeja si barrë të ta transmetojë amanetin e tij dhe po atë ditë që kam dalur nga burgu kam ardhur tek shtëpia Juaj dhe kemi biseduar me ty e familjen Tuaj. Më kujtohet kur si një adoloshent je ngritur me lot në sy dhe si një ushtar që jep betimin, para meje ke dhënë premtimin se do t’ ja plotësoj amanetin babait!!
Ishte dëshira e tij pasionante që ti të studioje DIF-in.
Mbase të kujtohet, por ai sa e sa herë tregonte kur merreshit rrugën në këmbë për Pleshinë dhe rrugës i bisedonit se si duhet të përgatiteshe për shkollim e studime, se si duhej punuar shumë për tu bërë kampion në pingpong. Vërtet kur Ahmeti fliste për Ty, Astritin, Lulen, Shqipen e Besën, Ai kishte një dukje tjetër, mbushej plot energji, u entuziazmonte aq shumë sa harronte ku ishim aty në skëterrë.
Ju ndjeheni krenarë që Ju ia plotësuat amanetin Ahmetit!!, studiuat DIF-in dhe magjistruat dhe keni edhe synime tjera në arritjen e gradave shkencore. Kjo ishte ëndrra e tij bashkë me Lirinë e atdheut! Si një besatim legjendash ju që të dy ia dolët, Ai e mbajti premtimin e vet, e solli lirinë e atdheut dhe këtë e bëri që Ti e shokët tuaj të studioni e punoni dhe ti arrini majat e suksesit.
Më vjen mirë që edhe Ti mbajte premtimin, madje duke e përmbushur më shumë se sa ka qenë dëshira e tij dhe për këtë ndjehu krenar dhe shpesh shikoje qiellin lartë, atje ku pushon e vështron shpirti i tij fisnik dhe tregoj se Ju familja, ashtu si edhe i tërë kombi ynë jemi krenarë me Ty Heroi Ynë!
(Komenti i ish të burgosurit politik, Ylber Topalli, në shkrimin e Alban Hoxhës, kushtuar prindit të tij tashmë të ndjerë, heroit Ahmet Hoxha)
Takimi i fundit me babin, pa thënë lamtumirë!