
Fortesa Berisha nga KFF Malisheva transferohet te Como
Futbollistja nga Kosova, Fortesa Berisha ka bërë hapin e madh në karrierën e saj duke kaluar nga KFF Malisheva te skuadra italiane Como, e cila garon në elitën e futbollit të femrave në Itali, Serie A.
KFF Malisheva e ka cilësuar këtë transferim si një moment historik për klubin dhe futbollin në Malishevë. “Me zemër plot krenari, njoftojmë që Fortesa Berisha, një nga vajzat më të mira që ka nxjerrë futbolli ynë, po vazhdon ëndrrën e saj, duke kaluar nga KFF Malisheva te Como në Itali, në njërën nga kampionatet më të forta në botë. Nga stërvitjet në mëngjes e deri te fitoret tona historike, Fortesa ka lënë gjurmë që nuk do të fshihen kurrë në Malishevë”, thuhet në njoftimin e klubit, ku veçohen golat, përkushtimi dhe besnikëria e saj ndaj fanellës.
Këtë transferim futbollistja Berisha e ka përshkruar me fjalët: “Një kapitull mbyllet, një ëndërr fillon…”. Fortesa Berisha ka falënderuar familjen, trajnerët dhe gjithë ata që e mbështeten në karrierë, derisa ndihet krenare me realizimin e këtij transferimi.
“Ky është një hap i rëndësishëm për mua, sepse po vazhdoj rrugëtimin tim në Serie A me Como Women, por Malisheva do të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit tim – sepse aty filloi gjithçka. Shpresoj që në çdo hap të rrugëtimit tim, të përfaqësoj me dinjitet vendin nga vij – dhe t’ju bëj krenarë, ashtu siç jam vetë krenare që vij nga Malisheva. Me shumë mirënjohje dhe gati për më shumë”, ka thënë Berisha. Edhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku Fortesa ndjek studimet, e ka përshëndetur këtë sukses. Në një deklaratë zyrtare, fakulteti e ka cilësuar kalimin e saj në Serie A si një dëshmi të përkushtimit, talentit dhe profesionalizmit të saj.
“Ky është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për studentet tona. Fortesa po ndjek ëndrrat e saj në njërën nga ligat më të forta të Evropës”, thuhet në urimin e Fakultetit.
/Epoka e re/