
Fortesa Orana dhe Elhami Shabani, në garë për medaljet e bronzta
Karateistët e Kosovës kanë nisur martën garat në Kampionatin Botëror të Karatesë, që po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Fortesa Orana dhe Elhami Shabani janë në garë për medaljen e bronztë. Orana në kategorinë +68 kilogramë, shënoi dy fitore ndaj Ekani Verica të Kamerunit dhe Chehinez Jemi të Tunizisë, për t’u ndalur në raundin e tretë. Garuesja e Kosovës ndodhet në repesazh, falë arritjes në finale te garueses spanjolle Torres, prej së cilës u mund Fortesa.
Oranës i duhen tri fitore për të siguruar podiumin. Shabani në kategorinë -75 kilogramë, pësoi humbje në raundin e parë nga Mamduh Abdelaziz i Egjiptit, i cili arriti në finale, për t’ia mundësuar repesazhin Shabanit. Dy fitore shënoi edhe Herolind Nishevci në kategorinë +84 kg.
Medalisti i bronztë i Evropës mundi serbin Luka Vukoviq dhe Morgan Moss të Afrikës së Jugut, për t’u ndalur në raundin e tretë nga amerikani Brian Irr, i cili nuk vazhdoi deri në finale për t’ia mundësuar repesazhin Nishevcit. Luftërat në repesazh zhvillohen të enjten.