Forumi për gratë, zyra e Jahjagës thotë se s’kanë marrë ftesë nga Osmani, presidenca pohon të kundërtën

02 qershor 2025 | 15:23

Është gruaja e parë që ka udhëhequr shtetin, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin. Ka arritur gjithashtu gradat më të larta që një grua i ka bartur në Policinë e Kosovës. Por, ish presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, nuk është ftuar në Forumin Ndërkombëtar, që flet për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Se nuk kanë marrë ftesë, për një ngjarje të tillë, për “Radio Dukagjinin” e kanë konfirmuar nga zyra e Jahjagës.

“Këtë vit presidentja Jahjaga nuk ka marr ftesë për të qenë pjesë e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, është thënë në përgjigjen e kësaj zyre.

Mediumi ka pyetur edhe zyrtarët e presidencës. Bekim Kupina, këshilltar për medie i Vjosa Osmanit ka thënë se Jahjagës i kanë dërguar ftesë, por nuk kanë siguruar asnjë dëshmi për një deklarim të tillë.

Këtë mungesë të Atifete Jahjagës në këtë forum e ka komentuar ish-diplomati i Kosovës, Ylber Hysa. Sipas tij është fare e pakuptimtë mungesa e ish-presidentes në një format të tillë.

“Kosova është dashur të krenohet me faktin që i ka dhënë përparësi grave të jenë në pozita të larta shtetërore. Por kur një president grua e mohon një president tjetër grua, problem i shoqërisë kosovare nuk është mosrepsektimi i shoqërisë kosovare ndaj grave. Jahjaga i plotëson të gjitha kriteret e të qenit në këtë pozitë. Jahjaga ftohet në të gjitha organizimet e ngjashme që mbahen jashtë Kosovës, e nuk ftohet këtu, kjo është e pakuptimtë”, ka thënë Hysa.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se nga 1…