‘Fox News’: Trumpi sinjalizon zhvendosjen e fuqisë globale, ‘Bordi i Paqes’ si zëvendësim i OKB-së

21 janar 2026 | 12:06

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se “Bordi i Paqes” që ai propozon për Gazën mund ta zëvendësojë OKB-në, duke theksuar atë që një analist i sigurisë kombëtare e ka përshkruar si një rishikim të “rendit ndërkombëtar ekzistues”, shkruan “Fox News”.

I pyetur të martën nëse ai e imagjinon organin e ri duke zëvendësuar OKB-në, Trumpi është përgjigjur: “Mundet”.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, presidenti u ka thënë gjithashtu gazetarëve se OKB-ja ka dështuar vazhdimisht në përmbushjen e misionit të saj.

“OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme. Unë jam adhurues i madh i OKB-së, por ajo kurrë nuk e ka realizuar potencialin e saj”, ka thënë Trumpi.

Ndërsa ka argumentuar se OKB-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë, ai ka shtuar: “OKB-ja duhej t’i kishte zgjidhur secilën prej luftërave që unë i zgjidha”.

Analisti i sigurisë kombëtare, Kobi Michael, ka pretenduar se propozimi tashmë sinjalizon një shkëputje nga rendi ndërkombëtar që ka përcaktuar politikën globale për dekada.

“Normat, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe liberalizmi janë jashtë, ndërsa politika reale, interesat dhe fuqia janë brenda”, ka thënë prof. Kobi Michael, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare dhe Institutin Misgav, për “Fox News Digital”, përpara se të shtonte se “BE-ja është shumë më pak e rëndësishme”.

Komentet e Michael vijnë ndërsa administrata Trump ka ecur përpara me planet për bordin, një nismë që zyrtarët kanë thënë se shtrihet shumë përtej konfliktit të menjëhershëm në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë më 16 janar, Shtëpia e Bardhë ka thënë se, në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, “Bordi i Paqes do të luajë një rol thelbësor në përmbushjen e të gjitha 20 pikave të planit të Presidentit, duke ofruar mbikëqyrje strategjike, duke mobilizuar burime ndërkombëtare dhe duke siguruar llogaridhënie ndërsa Gaza kalon nga konflikti në paqe dhe zhvillim”.

Siç është raportuar më parë nga “Fox News Digital”, është thënë se përgatitjet janë duke u zhvilluar për një ceremoni nënshkrimi në Davos të Zvicrës, me “Bloomberg” që ka raportuar për planet.

“Dhjetëra” vende janë ftuar, kanë konfirmuar zyrtarët, me ftesa zyrtare të dërguara të premten. Trumpi u ka dërguar ftesa udhëheqësve nga Rusia, Bjellorusia, Kina, Ukraina, India, Kanadaja, Argjentina, Jordania, Egjipti, Hungaria dhe Vietnami, ndër të tjerë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trumpi do ta kryesojë “Bordin e Paqes” dhe do të shoqërohet nga figura të larta politike, diplomatike dhe të biznesit, përfshirë Jared Kushner, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special të ShBA-së Steve Witkoff dhe miliarderin Marc Rowan.

Sipas Michael, nisma pasqyron një qasje të re ndaj sistemit ndërkombëtar.

“Po flasim për diçka që është shumë më e madhe sesa Rripi i Gazës”, ka thënë ai ai, përpara se të përshkruante “një qasje revizioniste të presidentit Trump ndaj rendit ndërkombëtar ekzistues, ku bordi është një mjet në vizionin e tij për ndryshimin e rendit ndërkombëtar ekzistues”.

Michael ka thënë se Irani qëndron në qendër të kësaj llogaritjeje, ndërsa protestat përfshinë vendin mes presioneve ekonomike dhe politike.

“Irani është ndryshuesi i vërtetë i lojës, dhe ne jemi përballë një ndryshimi shumë të rëndësishëm dhe dramatik, të koordinuar mirë me kryeministrin Netanyahu”, ka thënë ai.

Roli i Rusisë në bord është i pasigurt, me administratën Trump që ka dërguar ftesa Rusisë dhe Bjellorusisë, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se presidenti Vladimir Putin është duke e shqyrtuar ofertën.

 

Michael ka sugjeruar se pjesëmarrja e Moskës do të vinte me kushte. “Nëse Putini është pjesë e tij, kjo do të jetë për të përfunduar luftën në Ukrainë dhe për t’u detyruar të heqë dorë nga disa kërkesa madhore. Presidenti e ftoi Putinin t’i bashkohej bordit duke u bazuar në një mirëkuptim me të për ndarjen e pushtetit dhe ndikimit, duke i premtuar lehtësim të sanksioneve dhe arritjen e një marrëveshjeje”.

“Megjithatë, aleancat janë jashtë, ndërsa aleatët dhe strukturat rajonale janë brenda”, ka thënë Michael.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar gjyqi për padinë për shpifje që kreu i…