
Franca do të ndërtojë burg 400 milionë eurosh në thellësi të xhunglës së Amazonës
Franca do të ndërtojë një burg të ri me siguri të lartë në Guianën Franceze, për të strehuar trafikantë droge dhe islamistë radikalë, ka njoftuar ministri i Drejtësisë franceze gjatë një vizite në këtë territor.
Sipas BBC-së, Gerald Darmanin ka thënë për gazetën Le Journal du Dimanche se burgu ka për synim krimin e organizuar “në të gjitha nivelet” të zinxhirit të furnizimit me drogë”.
Është bërë e ditur se objekti me vlerë 400 milionë euro mund të hapet që në vitin 2028, dhe do të ndërtohet në një vend të izoluar thellë në xhunglën e Amazonës.
Ky plan është shpallur pas disa incidentesh të dhunshme që lidhen me bandat kriminale, ku në muajt e fundit janë sulmuar burgje dhe staf në të gjithë Francën.
Raportohet se burgu do të ketë kapacitet për deri në 500 persona, me një sektor të veçantë për të strehuar kriminelët më të rrezikshëm.
Ndërkohë në një intervistë, ministri ka thënë se burgu i ri do të drejtohet nga një “regjim jashtëzakonisht i rreptë ” i dizajnuar për “trafikantët më të rrezikshëm të drogës”.
Guiana Franceze është një rajon i Francës në bregun veriperëndimor të Amerikës së Jugut, dhe banorët e vendit kanë të drejtë vote në zgjedhjet franceze, përfitojnë nga sistemi francez i sigurimeve shoqërore, si dhe nga subvencione të ndryshme.