
Franca e liron sot pas 41 vjetësh aktivistin libanez propalestinez, Georges Abdallah
Georges Abdallah, mësues 74-vjeçar libanez, i cili ishte bërë simbol majtist për kauzën palestineze, do të lirohet të premten nga Franca pas 41 vjetëve në burg.
I përshkruar nga avokati i tij si “njeriu që e ka kaluar kohën më të gjatë në burg për ngjarje të lidhura me konfliktin izraelito-palestinez”, Abdallah pritet të udhëtojë drejtpërdrejt në Bejrut të Libanit pas lirimit, raporton televizioni BBC.
I dënuar në vitin 1987 për bashkëfajësi në vrasjen e dy diplomatëve në Francë – një amerikan dhe një izraelit – Abdallah gradualisht është harruar nga publiku i gjerë.
I intervistuar rishtazi nga agjencia franceze e lajmeve, AFP, në qelinë e tij në burgun “Lannemazan”, ai tha se e ka mbajtur veten normal nga mendja duke u përqendruar në përpjekjen palestineze.
“Nëse nuk do ta kisha pasur atë… epo, kjo mund të ta shndërrojë trurin në kaçamak” – th ai.
Në muret e qelisë së tij, ai mbante një fotografi të Che Guevara-s dhe kartolina nga mbështetësit e tij prej pjesëve të ndryshme të botës. Tavolinën e kishte të mbushur me gazeta.
I lindur në vitin 1951 në një familje të krishterë në pjesën veriore të Libanit, në fundin e viteve të shtatëdhjeta Abdallah kishte ndihmuar për themelimin e Fraksioneve të Armatosura Revolucionare Libaneze (LARF) – një grup i vogël marksist i përkushtuar për të luftuar kundër Izraelit dhe aleates së tij më të ngushtë, ShBA-së.
Në atë kohë Libani ishte i zhytur në një luftë civile. Më 1978 dhe 1982, Izraeli e kishte pushtuar pjesën jugore të Libanit për të luftuar kundër luftëtarëve palestinezë atje.