Franca futet në shtetrrethim deri më 1 dhjetor prej koronavirusit

30 tetor 2020 | 23:10

Sot Franca është vënë në “shtetrrethim”, i cili do të zgjasë deri më 1 dhjetor. 67 milionë francezë do t’u nënshtrohen masave të rrepta kufizuese që paralajmëroi të enjten në mbrëmje Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për të frenuar e parandaluar Covid -19, i cili ka marrë përmasa të frikshme në Francë në dy javët e fundit.

Masat e marra do të jenë në zbatim për një muaj, por nëse situata agravon më shumë, atëherë vendi mund të mbyllet tërësisht si më 17 mars kur Franca u fut në karantinë me dekret presidencial.

“Deri të paktën të dielën më 1 dhjetor “ju do të jeni në gjendje të largoheni nga shtëpia juaj vetëm për të punuar, për të shkuar në një takim mjekësor, për të ndihmuar një të dashur, për të bërë pazaret tuaja thelbësore ose për të marrë ajrin pranë shtëpisë tuaj” , -deklaroi Presidenti francez në mesazhin drejtuar kombit të mërkurën në mbrëmje.

Për të shkuar në punë, francezëve u duhet tashmë një Justificatif de Deplacement Profesionnel/ Çertifikakatën e punës, ndërsa për nevoja emergjente, si për shërbime mjekësore, furnizim me ushqime, shoqërim të personave të sëmurë apo të moshuar duhet të kenë me vete një Vërtetim/ Atestation të nënshkruar, ku të kenë shënuar motivin e daljes, si dhe datën e orën e qëndrimit jashtë shtëpisë, e cila nuk duhet të jetë më shumë se një orë.

Ç’farë lejohet dhe ndalohet nga sot në Francë

Ky sezon i dytë i izolimit, i planifikuar të zgjasë “minimumi deri më 1 dhjetor” ka tre ndryshime të mëdha në krahasim me izolimin e parë mbi 2 mujor (17 mars -11 maj). Së pari, çerdhet dhe shkollat (nga kopshti në shkollën e mesme) do të qëndrojnë të hapura, ndryshe nga institucionet e arsimit të lartë, që do të ofrojnë arsim në distancë. Fakultetet dhe institucionet e arsimit të lartë do ofrojnë kurse në internet. Vetëm puna praktike mund të mbahet në kushte specifike në institucione. Kudo që të jetë e mundur, telework-u do të jetë thelbësor. Së dyti, krahasuar me pranverën, sportelet e shërbimeve publike do të mbeten të hapura. “Fëmijët tanë nuk mund të privohen nga kontakti me sistemin shkollor për një kohë të gjatë. Kjo do të shkaktonte shumë pasoja dhe dëme. Do duhet një çertifikatë për t’i çuar fëmijët tuaj në shkolla. “Ndryshimi i sotëm është se “në përputhje me opinionin e dërguar dje nga Këshilli i Lartë i Shëndetit Publik, mbajtja e maskave do të shtrihet edhe për fëmijët e shkollës fillore nga mosha 6 vjeç”, -njoftoi Kryeministri Jean Castex. Maska ishte deri tani e detyrueshme që nga mosha 11 vjeç. Prej më shumë se dy javësh, maska ka qenë e detyrueshme për të gjithë, në rrugë, në sheshe, në transportin publik dhe në intitucione publike e private. Ndryshimi i sotëm është se mbajtja e detyruar e maskës në shkollë do të jetë dhe për fëmijët e shkollës fillore nga mosha 6 vjeç.

“Nga fillimi i së hënës, protokolli shëndetësor do të përshtatet dhe përforcohet për të siguruar mbrojtjen e të gjithë fëmijëve, mësuesve dhe prindërve të nxënësve në përputhje me mendimin e dërguar nga Këshilli i Lartë i Shëndetit Publik “, -tha shefi i qeverisë. Ministri i Arsimit Kombëtar, Jean-Michel Blanquer, foli të enjten në mëngjes në France 2 për “masat e përforcuara për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur përzierjen e studentëve” në klasa ose në mensë si dhe për masat e higjenës dhe ventilimin e ambienteve. “Mund të ketë një ndryshim në oraret”, -tha ai, por nuk njoftoi se a do të ishin përsëri klasat me grupe të vogla studentësh.

“Ndjenja që kemi është se do të zgjasë disa javë dhe se qeveria po përpiqet të gjejë mjetet për të ruajtur shkollat, shërbimet publike” dhe një pamje të jetës ekonomike për të shmangur një katastrofë”, -u shpreh, Presidenti i Shoqatës së Kryetarëve të Komunave të Francës, François Baroin.

“Institucionet e akomodimit për të moshuarit e varur (Ehpad) dhe për Shtëpitë e Pensionit do të vazhdojnë të “vizitohen”, për të parandaluar tragjeditë njerëzore të lindin atje ku njerëzit në fund të jetës së tyre e gjejnë veten plotësisht të izoluar”, -u shpreh kryetari i shtetit. Dyqanet, me përjashtim të të ashtuquajturave të domosdoshme, do të mbyllen, ashtu si baret dhe restoranet. “Punonjësit dhe punëdhënësit që nuk mund të punojnë do të përfitojnë nga papunësia e pjesshme”, -deklaroi Macron. “Një plan i veçantë do të përgatitet për të vetëpunësuarit, tregtarët dhe për ndërmarrjet shumë të vogla dhe të mesme”. “Kufijtë e brendshëm në zonën Evropiane do të mbeten të hapur dhe, duke përjashtuar përjashtimet, kufijtë e jashtëm do të mbeten të mbyllur. Sigurisht, francezët që jetojnë jashtë do të jenë të lirë të rikthehen në Francë. Tregjet e ushqimit do të qëndrojnë ta hapura, përveç , nëse prefektët vendosin ndryshe. Ngjarjet e ndryshme, sportet dhe industria e artit skenik do të mbyllen, por trajtimi dhe garat profesionale mund të vazhdojnë. Provat e shfaqjeve, regjistrimeve dhe xhirimeve gjithashtu mund të mbahen. Parqet dhe kopshtet do të qëndrojnë ta hapura. Varrezat dhe luleshitësit do të qëndrojnë të hapura për fundjavën e Ditës së Të Gjithë Shënjtorëve. Fabrikat, fermat dhe vendet e ndërtimit do të vazhdojnë të funksionojnë. Zyrat postare dhe sportelet e shërbimit publik do të qëndrojnë të hapura. Për metrot dhe linjat e tjera të transportit publik do të vendoset të hënën.

“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë sa më shumë që të jetë e mundur, natyrisht në kushte sanitare mbrojtëse dhe duke parandaluar qarkullimin viral”, sepse “papunësia dhe varfëria gjithashtu mund të vrasin”, u shpreh i Kreu i Qeverisë. Për të parandaluar avancimin e koronavirusit, Kryeministri Castex u bëri thirrje kompanive për të futuar telework-un “pesë ditë në javë”. “Përdorimi i tij duhet të jetë i mundur për sektorin privat, administratën publike dhe për agjentët dhe misionet që mund të kryhen plotësisht ose kryesisht nga distanca.

Mbyllja e deklaruar nga Presidenti u miratua masivisht nga Asambleja Kombëtare

“Shtetrrethimi” njëmujor u vendos nga Presidenti i Francës, Macron në mbrëmjen e së mërkurës, pasi zbuloi këtë shifër spektakolare: një milion njerëz janë tani transportues të menjëhershëm të Covid-19. Një përparim “që edhe parashikimet më pesimiste nuk e kishin parashikuar,” -tha ai. “Tani e tutje, më shumë se 3,000 pacientë zënë njësitë e kujdesit intensiv të spitaleve. Trefishim pritet në mes të nëntorit. Kjo valë që “zhyt” Evropën “do të jetë padyshim më e vështirë dhe më vdekjeprurëse se e para”, e cila shkaktoi më shumë se 30,000 vdekje në Francë”. “Nëse sot nuk vendosim frenat, mjekët do të duhet të zgjedhin, këtu midis një pacienti me Covid dhe një personi që është viktimë e një aksidenti rrugor” -, tha presidenti. Kreu i shtetit shprehu nevojën për të mbrojtur “të gjithë francezët”, megjithë “polemikat”, ndërsa mbrojti ekonominë. “Unë nuk besoj në kundërshtimin midis shëndetit dhe ekonomisë që disa do të dëshironin të krijonin. Ne kurrë nuk do të lejojmë që qindra mijëra bashkëqytetarë tanë të vdesin. Këto nuk janë vlerat tona. As nuk është në interesin tonë. Ç’farëdo që të bëjmë, gati 9,000 pacientë do të jenë në kujdes intensiv në mes të nëntorit. Strategjia jonë u përcaktua në verë. Kishte të bënte me jetesën me virusin dhe me kontrollimin e qarkullimit të tij duke u mbështetur në kapacitetet tona për të testuar, alarmuar dhe mbrojtur. Kjo është ajo që ne kemi bërë që nga gushti. A bëmë gjithçka mirë? Jo. Por ne bëmë gjithçka që mundëm. Ne mund të kishim shkuar më shpejt në fillim të testeve. Ashtu si të gjithë fqinjët tanë, ne jemi të mbingarkuar nga përshpejtimi i papritur i epidemisë, nga një virus i cili duket se po forcohet ndërsa dimri po afron. Të gjithë jemi në Evropë të befasuar nga evolucioni i virusit”. “Nëse përpjekjet e bëra kanë qenë të dobishme, kthjelltësia kërkon të pranosh që kjo nuk është e mjaftueshme. Virusi po qarkullon në Francë me një shpejtësi që as parashikimet më pesimiste nuk i kishin parashikuar. Dje (të martën,shënimi im), 527 nga bashkatdhetarët tanë vdiqën. Dje (të martën, shënimi im), ne numëruam gati 3,000 njerëz në kujdes intensiv, më shumë se gjysma e kapacitetit të pritjes”, -deklaroi Macron.

Presidenti i Republikës, i njoftoi kufizime e reja në rang kombëtar pas rekomandimeve të Këshillit të Mbrojtjes dhe pas takimit që Kryeministri francez, Jean Castex pati me politikbërësit dhe partnerët socialë të mërkurën.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën në Francë nga Covid -19 më shumë se 500 njerëz, ndërkohë mijra të tjerë ndodhen në infektuar. 33,417 raste rë reja janë raportuar nga Ministria e Shëndetit publik në 24 orët e fundit (d.m.th 1,198,695 raste të konfirmuara nga muaji mars), 35, 541 vdekje rë regjistruar që nga marsi (përfshirë 11,361 në shtëpitë e pleqve).

Kryeministri francez: “Virusi po përshpejtohet, ne gjithashtu duhet të përshpejtojmë”

Për të mbrojtur strategjinë e qeverisë dhe izolimin kombëtar përballë valës së dytë të epidemisë, kryeministri francez, Jean Castex, iu drejtua të enjten deputetëve të Asamblesë Kombëtare duke deklaruar “se nuk ka zgjidhje tjetër”. Në fjalën që mbajti më 29 nëntor para deputetëve Castex u shpreh: “Ne do të duhet të menaxhojmë në nëntor një kulm më të lartë në shtrimit në spital se sa në prill. Virusi po përshpejtohet, ne duhet të përshpejtojmë. Sot 60 përqind e shtretërve të reaminacionit janë të zëna nga pacientët Covid, d.m.th dyfish më shumë se 15 ditë më parë. Situata po ndryshon dhe ne jemi duke iu përshtatur rrethanave të reja të krijuara nga ky përshpejtim i papritur. E them qartë: Nuk ka zgjidhje tjetër”.

Masat e marra konsiderohen si domosdoshmëri nga një numër shkencëtarësh, si Jean-François Delfraissy, president i Këshillit shkencor, Gilles Pialoux, specialisti i sëmundjeve infektive dhe nga Frederic Valletoux, president i Federatës së Spitalit të Francës (FHF). Nga Mentor HOXHA (Paris)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër ditë para datës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara,…