Franca ndërton aeroplanmbajtësen më të madhe në Evropë
PANG do të jetë anija luftarake më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Evropë.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar nisjen e një programi strategjik për ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje të re, më të madhe dhe më moderne, e cila do të zëvendësojë anijen aktuale Charles de Gaulle.
Programi, i njohur si “Porte-Avions Nouvelle Génération” (PANG), pritet të kushtojë rreth 10.25 miliardë euro dhe synon që anija e re të hyjë në shërbim në vitin 2038, kur Charles de Gaulle të dalë nga përdorimi.
Sipas qeverisë franceze, PANG do të jetë anija luftarake më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Evropë dhe një element kyç i parandalimit bërthamor francez, si dhe i përpjekjeve evropiane për autonomi më të madhe mbrojtëse.
Punimet për komponentët e shtytjes bërthamore kanë nisur që vitin e kaluar, ndërsa porosia finale pritet të miratohet me buxhetin e vitit 2025.
Macron e bëri njoftimin gjatë një fjalimi për trupat franceze në një bazë ushtarake në Abu Dhabi, pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga pikat më kritike për rrjedhën globale të naftës.
“Vendimi për nisjen e këtij programi të madh është marrë këtë javë”, deklaroi Macron, duke theksuar se projekti do të forcojë edhe industrinë franceze të mbrojtjes, veçanërisht bizneset e vogla dhe të mesme.
Ministrja e Forcave të Armatosura, Catherine Vautrin, konfirmoi se aeroplanmbajtësja e re do të zëvendësojë Charles de Gaulle, e cila hyri në shërbim në vitin 2001 pas 15 vitesh planifikimi dhe ndërtimi.
Franca mbetet i vetmi shtet i BE-së me armë bërthamore dhe një nga të paktat vende evropiane që zotërojnë aeroplanmbajtëse, krahas Britanisë, Italisë dhe Spanjës.
Megjithatë, kapacitetet evropiane mbeten shumë më të kufizuara krahasuar me ShBA-të, e cila ka 11 aeroplanmbajtëse, dhe Kinën me tre.



