Franca nuk lejon më përdorimin e hidroksiklorinës

27 maj 2020 | 14:23

Qeveria e Francës ka njoftuar se mjekët në këtë vend nuk do të lejohen më që të përdorin hidroksiklorinën si ilaç për trajtimin e koronavirusit.

Vendimi vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e pezulloi këtë javë testimin e hidroksiklorinës dhe të klorokinës, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Hidroksiklorina, e cila përdoret normalisht për të trajtuar malarien ose artritin, është promovuar më herët nga virologu francez, Didier Raoult, i cili është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për të diskutuar përdorimin e saj si trajtim për pacientët me koronavirus.

Por, OBSH-ja tha këtë javë se ka pezulluar testimin e saj dhe të klorokinës, pasi një studim në revistën mjekësore britanike “The Lancet” ka konstatuar se përdorimi i këtyre ilaçeve te pacientët me koronavirus mund t’i rrisë shanset e tyre për të vdekur.

Sipas studimit, ato mund të prodhojnë efekte anësore, sidomos aritmi të zemrës.

Javën e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është duke marrë hidroksiklorinë për të lehtësuar simptomat nëse infektohet me koronavirus.

Trump ka thënë se nuk ka pasur asnjë efekt anësor./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e…