
Franco Foda beson se Kosova mund të kualifikohet në Botëror
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur të hënën një konferencë për shtyp në prag të dy ndeshjeve të tetorit, kundër Sllovenisë këtë të premte dhe më pas ndaj Suedisë të hënën që vjen.
Trajneri gjerman është shprehur optimist për përballjet e këtij muaji, sidomos për atë ndaj sllovenëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan “Gazeta Express”.
Madje, Foda nuk e ka fshehur ëndrrën për ta kualifikuar Kosovën në Botëror, sidomos pas fitores dhe paraqitjes së madhe ndaj suedezëve.
“Të gjithë besojmë që mund ta arrijmë së paku vendin e dytë. E kam potencuar se duhet të paraqitemi si ekip, i kemi këto emocione. Por, për ta arritur vendin e dytë duhet të luajmë si ndaj Suedisë. Duhet ta kemi një shpirt ekipor, është një grup i vështirë, por tash edhe ekipi beson se mund të kualifikohemi tutje, kjo është mjaft e rëndësishme”, ka thënë Foda.