Frederik Reshpja i dha poezisë shqipe atë që poezia shqipe kërkonte
“Unë kam qenë trishtimi i botës, O ajër i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri” / Frederik Reshpja
Nga Bedri Islami
Të kalosh nga bora parajsore e vargjeve të tij në kronikën e dhimbshme, tragjike dhe rënduese të jetës së tij përbën thelbin e vuajtjes së poetit të pakundshoq, Frederik Reshpja.
Moikomi, miku i tij në të gjitha ditët, më thonte një ditë, në ndejat e gjata, se poezia e Frederikut është bari që rritet gjithku ka tokë dhe ujë ka, është ajri i përbashkët që rruzullin njom.
Në të vërtetë Frederiku dukej sikur vinte nga një kohë tjetër, gjithçka dëshmonte se ishte ndryshe, ishte i butë dhe në të njëjtën kohë inatçor i madh; shpirthapur e tekanjoz, i varfër i skajshëm dhe i pasur deri në marrëzi, për të qenë përsëri skamnor deri në uri, ishte si një skllav i ndjekur nga bishat dhe luftëtar i zhurmshëm, ishte gjëmues, por edhe ledhatues , ishte njeri që vuante edhe për gurin që flinte nën dëborë, por edhe harrakat i pashoq; i bukur nuk ishte, përkundrazi, por shpirti ishte habitshëm i hapur dhe me bukuri të pashoqe; ishte i rrëmbyer, sensual, i ndjeshëm në një çast dhe harbut në çastin tjetër.
Gjithmonë kam pasur një droje kur isha me të, pasi nuk duronte biseda të zakonshme, fjalë të turbullta; në vitin 1997 urrente plumbat, në ririnë e tij urrente hymnet, kur po bëhej gati të ikte nga kjo botë nuk urrente askënd, as armiqtë e tij, ata që e kishin burgosur, e kishin leçitur, e kishin përgjuar dhe po krijonin heshtjen rreth tij, si të binte një mjegull.
Identifikohej lehtësisht me të gjithë njerëzit, ai vuante përçmimin njerëzor, ashtu si adhuronte urtësinë e martirëve.
Në shtëpinë e tij të vogël, në atë rrugicën e ngushtë të Gjuhadolit, shtëpi që është shembur tashmë, ai rriste trëndafilë të kuq, allë, por asnjëherë nuk kishte trëndafilë të bardhë. Vetëm kur u plak i përkdhelte ato dhe më tha njëherë se nuk kishte dashur kurrë të përdhoste bukurinë e tyre.
E, megjithatë ai ishte fatlum. Vepra e tij është aq harmonike sa mund të duket e pashmangshme.
Emëri i tij është i lidhur me Shkodrën, qytetin e mbretërve. Lavdia e tij nuk është frut i dënimeve të shumta dhe burgimet e herë pas hershme.
Ai bëri letërsinë e tij të madhe edhe pa miratimin e kritikës, edhe përballë mjerimit që e shoqëroi në pjesën më të madhe të jetës.
E arriti këtë përmes një lumturie moskokëçarëse, ai i dha poezisë shqipe, atë çka poezia shqipe kërkonte : lirikun e madhe të Veriut, që u bë poeti i madh i kombit.
E gjithë jeta e tij kaloi:
Duke pritur një dallëndyshe që nuk do i vinte kurrë.



