
Fried pas deklaratave të Osmanit: Vlerësimi për administratën Trump është taktikë e mirë
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, ka thënë se, edhe nëse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk është plotësisht e fokusuar te Kosova tani, është e rëndësishme të vazhdohet dialogu dhe të kërkohen aleatë brenda saj.
“Është e dobishme të fillosh të krijosh kontakte dhe zakone komunikimi për kur të vijë momenti”, ka thënë ai në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.
Fried e ka shoqëruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në disa takime që zhvilloi javën e kaluar në ShBA.
I pyetur të komentojë deklaratat e saj se Trumpi ka parandaluar së voni një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë, Fried thotë se nuk i di detajet.
“…por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump”, ka thënë ai.
Në intervistën dhënë “REL”-it, Fried ka folur edhe për ngërçin në Kuvendin e Kosovës, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe ShBA-së e të tjera.