Fshati Keqekollë dikur me 120 shtëpi, sot as me dhjetë sosh

07 janar 2019 | 14:43

Fshati Keqekollë i Komunës së Prishtinës është një vend me bukuri të rrallë natyrore. Ka pyje në sipërfaqe qindra hektarësh, lumë, burime të ujit, tokë të punueshme, livadhe të shumta, pemë thuajse të të gjitha llojeve që i ka dhuruar natyra këtij fshati, rrugë të asfaltuar, shkollë…

Mirëpo, përkundër të gjitha këtyre të mirave që i ka Keqekolla, ai është buzë mbetjes pa asnjë banor. Ky fshat është duke u boshatisur në heshtje. Dikur i kishte 120 shtëpi, sot vështirë mezi i gjen 10 të banueshme. Përkundër të gjitha begative natyrore që i ka ky fshat i Gollakut, i cili kufizohet me fshatrat malore, Koliq, Ballaban dhe Prapashticë, nuk po adhurohet nga ish-banorët e tij dhe nga ata pak që janë ende në Keqekollë, i cili është 29 kilometra larg Prishtinës.

Nga biseda që bëmë me disa nga banorët e këtushëm, mësojmë se shkaku i ikjes së tyre nga Keqekolla është i lidhur për mungesë transporti të rregullt të banorëve me Prishtinën, udhëtimi i lartë dhe me vështirësi gjatë dimrit si për punëtorë ashtu edhe për nxënës e studentë. Mirëpo, mbi të gjitha, është punësimi i keqekollasve në Prishtinë. Pra, si thonë ata, assesi nuk ia vlen të bëhen afër 60 kilometra rrugë për të shkuar në punë dhe për t’u kthyer vetëm për të fjetur në këtë fshat. Pra, e gjithë paga shkon shpenzime të rrugës.

Faik Rama ende jeton në Keqekollë dhe merret me blegtori, bletari e perimtari, si dhe është edhe kultivues i mirë i drithërave dhe ushqimit për bagëti, ka pohuar se edhe ai vetë një ditë do të largohet nga fshati.

“Në këtë lagjen tonë kur dikur kishte me shumë shtëpi, sot jetojmë vetëm dy familje. Pra, unë dhe një i afërm i imi. Jeta me vetëm këto dy shtëpi nuk është e lehtë, nuk ndihet kurrfarë gjallërie, s’ka zhurmë të njerëzve siç ishte përpara. Unë jetoj me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi, si dhe pak anëtarë të afërmit tim, po më duket po na ha mali. Keqekolla është një vend i mrekullueshëm për të ushtruar shumë veprimtari në bujqësi dhe ekonomi. Këtu mund të merresh me blegtori, sepse ka sipërfaqe të shumta të kullosave, pastaj me blegtori, bletari… Unë kam disa lopë qumështore, disa bletë, e punoj tokën, si dhe gjatë vjeshtës shesim dru që i kemi në pronësi tonën disa hektarë me mal. Gjithashtu, bëj bartjen me furgon të pak fëmijëve që janë në lagjen tonë deri në shkollën e fshatit, që është bukur larg ku jetojmë ne. Pra, i çoj në shkollë dhe kur të përfundojë mësimi i kthej në shtëpi. Mirëpo, përkundër këtyre punëve që i bëj, edhe unë do ta lëshoj fshatin kur fëmijët nisin mësimin në shkollë të mesme në Prishtinë. Madje, ka muaj që e kam blerë një truall afër Prishtinës ku mendoj të ndërtoj një shtëpi. Dua të them se në këtë fshat kanë mbetur pak shtëpi që numërohen në gishta. I gjithë fshati iku në Prishtinë për shkak të kushteve më të mira për jetë, në rend të parë për punësim. Pra, s’ka banor që ka shkuar në qytet e nuk është punësuar diku”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se sikur të gjithë të rrinin në fshat jeta do të bëhej e rëndë si pasojë e papunësisë. “Të gjithë nuk kanë mundur të merren me blegtori, sepse edhe nga kjo punë pak fitohet”, është shprehur ky banor i Keqekollës.

Thuajse ngjashëm u shpreh edhe një banor tjetër. Ai ka paralajmëruar se së shpejti do ta lëshojë fshatin me familje. “Djali im punon në Fushë-Kosovë dhe nuk po ia vlen të udhëtojë. Krejt rroga po i shkon për udhë. E kemi blerë një banesë në këtë qytet dhe do të jetojmë atje. Në këto hapësira kemi mbetur vetëm ne dy familjet, pra unë dhe Faiku”, ka thënë Ahmet Rama. Ai ka shtuar se ka pak perspektivë për banorët e këtij vendi. “Blegtoria, bujqësia e bletaria nuk është zgjidhje për të jetuar këtu. Bazuar në numrin e banorëve që ende janë duke jetuar në Keqekollë, një ditë të afërm do të mbetet i tëri i boshatisur”, ka thënë Ahmet Rama.

ShFMU “Rilindja”, edhe pse shkollë e re dhe me infrastrukturë moderne, ka një numër të vogël të nxënësve. Problem janë edhe rrugët e paasfaltuara në mes të lagjeve të fshatit Keqekollë të Komunës së Prishtinës.

Ismail REXHEPI /Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të qeverisësh me Komunën e Deçanit për kryetarin Bashkim Ramosaj…