
FShF-ja falënderon policinë për angazhimin në ndeshjen Shqipëri-Serbi
Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) i ka dërguar letër falënderimi drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorit të drejtorisë vendore të Policisë Tiranë, për përmbushjen e suksesshme të detyrave funksionale nga punonjësit e Policisë që garantuan rend dhe siguri publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri-Serbi”.
“Kjo ndeshje përbënte një sfidë të jashtëzakonshme përsa i përket aspektit të sigurisë dhe menaxhimit të flukseve të tifozëve, e cila u përballua me përkushtim dhe kompetencë të lartë nga të gjitha strukturat e angazhuara: Policia e Rendit, Policia Rrugore, forcat RENEA, Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe strukturat inteligjente e ato mbështetëse. Puna juaj dhe e trupave nën drejtimin tuaj garantoi zhvillimin e një eventi të sigurt, dinjitoz dhe të suksesshëm, duke treguar edhe një herë rolin thelbësor të Policisë së Shtetit në mbështetje të ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare”.
“Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të garantuar parametrat e sigurisë gjatë aktiviteteve ndërkombëtare, me ndikim të madh dhe të drejtpërdrejtë te imazhi i vendit”, është thënë në letrën e falënderimit.